Last Updated on 23/10/2026 by Monika
Gazetarja bullgare Sonya Koltuklieva është shtruar në spital pasi një oficer i Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes (NSO) e ka shtyrë me forcë përtokë, teksa ajo po përpiqej t’i drejtonte pyetje kryetares së Parlamentit, Mihaela Dotsova. Ngjarja ndodhi përpara selisë së partisë “Bullgaria Progresive”, të kryeministrit Rumen Radev, në Sofje.
Incidenti ndodhi pak pasi Radev mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për mediat lidhur me një deklaratë kritike të Parlamentit Evropian për politikat e tij ndaj Moskës. Gazetarët ishin mbledhur për të pyetur Dotsovën për shtyrjen e përsëritur të seancave parlamentare që lidhen me faljet e dhëna nga Iliana Yotova gjatë kohës kur ishte zëvendëspresidente.
Koltuklieva e pyeti kryetaren e Parlamentit se përse i kishte penguar dy herë këto seanca, por Dotsova nuk u përgjigj dhe u fut me shpejtësi në automjetin e saj zyrtar. Teksa ajo po mbyllte derën, gazetarja iu afrua duke filmuar me telefon dhe u përpoq ta hapte atë për të vazhduar pyetjet.
“Pse keni frikë? Dilni dhe flisni me ne”, i tha gazetarja.
Pamjet e publikuara nga agjencia e lajmeve PIK tregojnë momentin kur oficeri e shtyn me forcë Koltuklievën, duke e rrëzuar në shpinë. Dëshmitarët reaguan me zemërim ndaj veprimit të tij, ndërsa Dotsova u largua me automjetin zyrtar, me dritat dhe sirenën e aktivizuar, pa u ndalur për të parë gjendjen e gazetares.
Sipas PIK, Koltuklieva pësoi tronditje të trurit, frakturë të klavikulës dhe zhvendosje të shpatullës. Ajo u transportua me ambulancë në Akademinë Mjekësore Ushtarake. Sipas raportimeve, as efektivët e sigurisë dhe as personat në selinë e partisë nuk i dhanë ndihmë në momentet e para.
Pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta. Gazetarë dhe politikanë nga krahë të ndryshëm dënuan përdorimin e forcës dhe kërkuan përgjegjësi për ngjarjen.
Pas publikimit të videos, NSO njoftoi nisjen e një hetimi të menjëhershëm dhe bëri të ditur se kishte informuar Prokurorinë Ushtarake. Shërbimi deklaroi se po shqyrtonte rrethanat e incidentit dhe paralajmëroi masa të rrepta nëse konstatohej se oficeri kishte vepruar në kundërshtim me ligjin dhe detyrën e tij./mxh
