Presidenti i Rusias, Vladimir Putin, zhvilloi këtë të enjte një takim në Kremlin me homologun e tij nga Bjellorusia, Alexander Lukashenko.
Dy liderët morën pjesë më pas në mbledhjen vjetore të Shtetit të Bashkuar, një aleancë pa kufij mes dy ish-republikave sovjetike, që ka thelluar bashkëpunimin ekonomik, tregtar, doganor dhe ushtarak mes tyre.
Lukashenko theksoi se, në kushtet e tensioneve ndërkombëtare, veçanërisht në kufijtë perëndimorë të Bjellorusisë, është thelbësore forcimi i partneritetit strategjik me Rusinë. Ai bëri të ditur se ka nisur zbatimi praktik i marrëveshjes për garancitë e sigurisë brenda kuadrit të Shtetit të Bashkuar dhe se sistemi raketor “Oreshnik” ka hyrë në gatishmëri luftarake në territorin bjellorus që prej muajit dhjetor.
Nga ana e tij, Putin deklaroi se traktati ndërshtetëror për garancitë e sigurisë, i cili hyri në fuqi në vitin 2025, përbën një bazë të fortë për aleancën mes dy vendeve. Sipas tij, dokumenti synon mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe rendit kushtetues të Rusisë dhe Bjellorusisë, si edhe integritetin territorial dhe kufijtë e tyre.
Bjellorusia mbetet një nga aleatet më të afërta të Rusisë dhe në vitin 2022 shërbeu si bazë nisjeje për ofensivën ruse në Ukrainë, duke i lejuar forcave të Moskës të afrohen drejt Kievit përpara se të zmbrapseshin.
Takimi në Kremlin konfirmon thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, në një kohë kur tensionet në rajon vijojnë të mbeten të larta./mxh
