Last Updated on 27/02/2026 by Anisa
Deputeti Rijad Shaqiri, pjesë e partisë Aleanca për Shqiptarët, ka pasur një përplasje verbale me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një seance parlamentare.
Debati nisi pasi Shaqiri mbante në jakën e xhaketës një spilë me flamurin shqiptar. Kryeministri Mickoski shprehu pakënaqësi për mungesën e simbolit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, duke i kujtuar deputetit se paguhet nga ky shtet.
“Herën tjetër kur të vini në Kuvend, që përveç flamurit shqiptar, që është flamur etnik i popullit që i përkisni. Do ta keni dhe atë të Maqedonisë, sepse nga ky shtet merrni pagë”, i është drejtuar kryeministri deputetit Shaqiri.
Shaqiri i është përgjigjur duke deklaruar se simboli kuqezi ia kishte dhuruar kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe shtoi se do ta vendoste me kënaqësi edhe flamurin e Maqedonisë së Veriut nëse do t’i dhurohej nga ai.
“Është fakt se unë e kam simbolin tim kombëtar, edhe mburrem se jam shqiptar. Këtë ma ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, kur të ma sillni ju flamurin e Republikës së Maqedonisë, mbledhjen e radhës do të vij me të. Që jam shqiptar, krejt bota e di dhe për këtë jam krenar”, tha Shaqiri.
Ndërkohë në momenti që vijoji fjalën, Mickoski i dhuroi deputetit një spilë me flamurin e Maqedonisë së Veriut, të cilën Shaqiri e vendosi menjëherë në xhaketë.
Pas mbarimit të mbledhjes deputeti ka reaguar në një postim në Facebook, ku theksoi se debati për një simbol kombëtar nuk duhet të zëvendësojë çështje më të rëndësishme, si gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe lufta kundër krimit.
“Gjatë debatit të sotëm në seancën parlamentare, Kryeministrin e “provokoi” flamuri ynë kombëtar që e mbaja në sakon time – simboli i identitetit dhe dinjitetit tonë.
Por nuk e pengon urrejtja patologjike që shfaqet ndaj shqiptarëve në terrenet sportive. Nuk e pengon heshtja institucionale përballë thirrjeve dhe koreve me përmbajtje albanofobe.
Dhe mbi të gjitha, nuk dha asnjë përgjigje konkrete se si 5 ton kanabis kaluan kufirin e Maqedonia e Veriut pa u vërejtur.
Kur simboli kombëtar trajtohet si problem, ndërsa krimi dhe urrejtja relativizohen, atëherë kemi një devijim serioz të prioriteteve shtetërore. Shqiptarët nuk janë provokim – janë popull shtetformues dhe kërkojnë përgjegjësi, jo arsyetime”, shkruan Rijad Shaqiri në profilin e tij në facebook.
