Ish-presidenti amerikan Bill Clinton do të japë këtë të premte, 27 shkurt, dëshmi për lidhjen e tij me Jeffrey Epstein.
Takimi me anëtarët e Komitetit të Mbikëqyrjes së Kongresit do të zhvillohet një ditë pas seancës së fshehtë ku mori pjesë gruaja e tij, Hillary Clinton.
“Unë nuk kujtoj të kem takuar ndonjëherë zotin Epstein”, tha ajo në deklaratën e hapjes. “Nuk kam udhëtuar me avionin e tij dhe as nuk kam vizituar ishullin, shtëpitë apo zyrat e tij. Nuk kam asgjë për të shtuar.”
Megjithatë, shumë informacione mbi lidhjen e Bill Clinton me Epstein janë bërë publike. Edhe para miratimit të Epstein Files Transparency Act, dokumentet tregojnë se Clinton ka udhëtuar disa herë me avionin e Epstein-it. Ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo dijeni apo përfshirje në krimet që i atribuohen Epstein-it.
Sa herë ka fluturuar me avionin e Epstein?
Sipas dokumenteve të publikuara para ligjit të ri, Clinton ka qenë në të paktën 17 fluturime gjatë viteve 2002-2003, pas largimit nga detyra e presidentit.
Ai ka udhëtuar në vende të huaja si Siberia, Maroku, Kina dhe Armenia, shpesh në shoqëri të personazheve të famshëm si aktori Kevin Spacey dhe komediani Chris Tucker. Megjithatë, Clinton, Epstein dhe shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, kanë deklaruar se ish-presidenti nuk ka vizituar ndonjëherë ishullin privat të Epstein-it.
Bill Clinton ka shërbyer si president nga viti 1993 deri në vitin 2001.
Çfarë tha Hillary Clinton në dëshmi
Ajo tha se nuk ka asnjë dijeni për krimet e Jeffrey Epstein apo të Ghislaine Maxwell. Clinton u shpreh se nuk ka “ide” për aktivitetet kriminale të tyre dhe se nuk ka asnjë informacion që të ndihmojë hetimin mbi trafikimin seksual ose abuzimet që iu atribuohen Epstein-it.
Theksoi po ashut se nuk mban mend të ketë takuar ndonjëherë Jeffrey Epstein. Në deklaratën e saj, ajo tha se nuk e ka takuar, nuk ka fluturuar me avionin e tij dhe nuk ka vizituar ishullin, shtëpitë apo zyrat e tij.
Ajo tha se njeh vetëm Ghislaine Maxwell “si një njohje të rastësishme”, jo si bashkëpunëtore të ngushtë. Dëshmia e saj u zhvillua pas më shumë se gjashtë orësh pyetje, në një seancë të mbyllur për publikun./mxh
