Producenti i njohur amerikan Benny Blanco është përfshirë në një valë komentesh në rrjetet sociale pas publikimit të episodit të parë të podcastit të tij “Friends Keep Secrets”, që ai e drejton së bashku me reperin Dave “Lil Dicky” Burd.
Gjatë regjistrimit, kamerat fokusuan për pak sekonda këmbët e producentit, të cilat u komentuan gjerësisht nga ndjekësit si të pista. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në internet, duke kthyer momentin në viral dhe duke nxitur reagime të shumta.
Për t’i dhënë fund aludimeve, Blanco reagoi publikisht në emisionin “Jimmy Kimmel Live!”, ku e trajtoi situatën me humor. “Para së gjithash, është faji i vendndodhjes, jo i imi”, tha ai, duke shtuar se në të vërtetë ka “këmbë shumë të bukura”.
Madje, për ta provuar këtë, ai hoqi këpucët dhe çorapet në studio, duke i treguar këmbët para publikut dhe duke kërkuar që kamerat të afroheshin për një pamje më të qartë. Reagimi në studio ishte i menjëhershëm, me Jimmy Kimmel që nuk kurseu shakatë, duke i sugjeruar me ironi se ndoshta mund të hapë edhe një llogari në OnlyFans.
Nga ana e tij, Dave “Lil Dicky” Burd pranoi se ambienti ku u xhirua podcasti, konkretisht shtëpia e tij, mund të ketë ndikuar në situatë për shkak të lëvizjes së stafit të madh të produksionit.
Kjo nuk është hera e parë që paraqitja e këmbëve të Benny Blanco bëhet temë diskutimi online. Në vitin 2024, pedikyri i tij i pazakontë, që u përshkrua nga përdoruesit si “stil qilimi persian”, mori po ashtu vëmendje të madhe në rrjet./mxh
