Shërbimet e emergjencës në Minab gërmuan të dielën pranë vendit ku një shkollë fillore për vajza u shkatërrua nga një raketë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 85 personave, sipas mediave shtetërore iraniane. Sulmi vjen pas një operacioni të gjerë të SHBA-së dhe Izraelit kundër objektivave iraniane, cilësuar si më ambiciozi në dekada.
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se qindra civilë janë vrarë ose plagosur gjatë sulmeve të koordinuara nga SHBA dhe Izraeli. Deri më tani, raportimet nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa ushtria izraelite nuk ka dhënë një koment zyrtar.
Në të njëjtën ditë, mediat shtetërore iraniane konfirmuan se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, u vra në sulmet e së dielës. Një zyrtar i lartë izraelit tha për Reuters se trupi i liderit iranian u gjet pas goditjes, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se Shtetet e Bashkuara punuan ngushtë me Izraelin për të synuar udhëheqësin që drejtonte Iranin që nga viti 1989.
Irani ka cilësuar sulmet si të paprovokuara dhe të paligjshme, duke kundërpërgjigjur me raketa të lëshuara drejt Izraelit dhe të paktën shtatë vendeve të tjera, përfshirë shtetet e Gjirit që strehonin baza amerikane.
Ngjarjet e fundit kanë përshkallëzuar ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal./MXH
