Last Updated on 04/03/2026 by EL
A të ka ndodhur vetëm një herë, apo je një “i dashuruar serial”? Pavarësisht moshës apo orientimit seksual, një studim i gjerë me mbi 10 mijë persona sugjeron se dashuria pasionante përjetohet, mesatarisht, vetëm dy herë në jetë.
Sipas përkufizimit shkencor të dhënë nga American Psychological Association (APA), dashuria pasionante është një formë dashurie ku ngazëllimi emocional dhe pasioni seksual janë në qendër të përjetimit. Personat e dashuruar përfshihen thellësisht me njëri-tjetrin, kërkojnë reciprocitet në ndjenja dhe përjetojnë vuajtje të fortë kur marrëdhënia has vështirësi.
Por sa herë mund ta përjetojmë këtë ndjenjë kaq intensive?
Një studim i publikuar në Interpersona: An International Journal on Personal Relationships, i realizuar me 10.036 amerikanë beqarë të moshës 18 deri në 99 vjeç, iu drejtua pjesëmarrësve me një pyetje të thjeshtë: “Sa herë je dashuruar në mënyrë pasionante?”
Rezultatet treguan se mesatarja është dy herë gjatë jetës. Konkretisht:
•14% deklaruan se nuk ishin dashuruar kurrë në mënyrë pasionante;
•28% thanë se kishin përjetuar një dashuri të tillë;
•30% raportuan dy herë;
•17% tre herë;
•11% katër ose më shumë herë.
Të dhënat rezultuan të ngjashme në të gjitha grupet demografike, pavarësisht moshës apo orientimit seksual. Të moshuarit raportuan një numër paksa më të lartë përvojash të dashurisë pasionante, çka tregon se kjo ndjenjë nuk njeh kufi moshe. Ndërkohë, burrat heteroseksualë deklaruan se ishin dashuruar disi më shpesh krahasuar me gratë heteroseksuale.
Autorët theksojnë se rezultatet bazohen në vetëraportim, ndaj mund të ndikohen nga kujtesa subjektive apo perceptimi individual. Megjithatë, studimi ndihmon në vendosjen në perspektivë të përvojave romantike dhe nënvizon se dashuria pasionante, ndonëse intensive, mbetet relativisht e rrallë në jetën e një individi./F.Ç
