Përshkallëzimi i shpejtë i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po ndikon drejtpërdrejt në udhëtimet ndërkombëtare, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Pas ofensivës së përbashkët amerikano-izraelite të quajtur “Operation Epic Fury” më 28 shkurt, situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke prekur mbi një duzinë shtetesh dhe duke shkaktuar mbyllje hapësirash ajrore, anulime fluturimesh dhe paralajmërime të rrepta udhëtimi.
Iran
Të gjitha udhëtimet ajrore civile drejt dhe nga Irani janë pezulluar. Hapësira ajrore është mbyllur menjëherë pas fillimit të sulmeve dhe mbetet e tillë. SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë vendosur nivelin më të lartë të paralajmërimeve për udhëtim. Kalimet tokësore drejt Turqisë dhe Armenisë mbeten të hapura për ata që përpiqen të largohen.
Emiratet e Bashkuara Arabe
Sulmet iraniane goditën si Dubai International Airport ashtu edhe Zayed International Airport. Aeroporti i Dubait, më i ngarkuari në botë për udhëtime ndërkombëtare, u mbyll për tre ditë, duke lënë të bllokuar qindra mijëra pasagjerë. Një predhë goditi edhe hotelin luksoz Fairmont The Palm, duke shkaktuar zjarr.
Operacionet ajrore po rifillojnë gradualisht. Etihad Airways dhe Emirates kanë nisur fluturimet e para, ndërsa qeveria e Emirateve ka premtuar mbulim të shpenzimeve për ushqim dhe akomodim për mbi 20 mijë udhëtarë të bllokuar.
Katar
Sulmet kanë shënjestruar edhe Hamad International Airport në Doha. Hapësira ajrore mbetet e mbyllur dhe SHBA e Mbretëria e Bashkuar kanë lëshuar urdhra për strehim në vend për shtetasit e tyre. Australia dhe Kanadaja kanë shpallur “mos udhëtoni”.
Oman
Shumë udhëtarë po kalojnë nga Emiratet drejt Omanit, ku fluturimet ende operojnë. Megjithatë, porti i Duqmit u godit nga dronë iranianë. Paralajmërimet për udhëtim janë më të lehta krahasuar me vendet e tjera të rajonit, por SHBA u ka bërë thirrje qytetarëve të largohen menjëherë.
Izrael
Izraeli vazhdon shkëmbimin e sulmeve me Iranin dhe Hezbollahun në Liban. Ben Gurion Airport është mbyllur për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore, por pritet të rifillojë me fluturime të kufizuara.
Liban
SHBA ka urdhëruar largimin e personelit jo emergjent nga ambasada në Bejrut. Paralajmërimet për udhëtim janë në nivelin më të lartë nga SHBA, Australia dhe Kanadaja, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka masa të pjesshme sipas rajoneve.
Kuvajt dhe Bahrein
Të dy vendet kanë mbyllur hapësirat ajrore pas sulmeve iraniane. SHBA u ka bërë thirrje qytetarëve të largohen menjëherë, ndërsa vendet e tjera perëndimore këshillojnë shmangien e çdo udhëtimi.
Arabia Saudite
Sulme me dronë kanë goditur edhe Riadin, përfshirë zonën pranë ambasadës amerikane. King Khalid International Airport mbetet një nga të paktët aeroporte në rajon që vazhdon operimet, duke u kthyer në pikë daljeje për udhëtarët e bllokuar.
Jordan
Ambasada amerikane në Aman është evakuuar për shkak të një kërcënimi sigurie. Hapësira ajrore mbyllet pjesërisht gjatë natës. SHBA u ka bërë thirrje qytetarëve të largohen menjëherë.
Irak
Hapësira ajrore është e mbyllur dhe SHBA ka vendosur nivelin 4 “Mos udhëtoni”. Edhe Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia këshillojnë kundër çdo udhëtimi.
Qipro
Një dron goditi bazën britanike RAF Akrotiri. Paphos International Airport u evakuua përkohësisht dhe dhjetëra fluturime u anuluan. EasyJet pezulloi fluturimet drejt Qipros deri më 5 mars.
Egjipt
Edhe pse nuk është goditur drejtpërdrejt, SHBA e përfshiu Egjiptin në listën e vendeve nga ku qytetarët duhet të largohen “menjëherë”. Megjithatë, disa ekspertë të sigurisë besojnë se aktualisht rreziku këtu mbetet më i ulët krahasuar me vendet e Gjirit.
Çfarë duhet të bëjnë udhëtarët?
Kontrolloni vazhdimisht njoftimet zyrtare të ambasadave dhe linjave ajrore.
Konsideroni shtyrjen e udhëtimeve jo thelbësore drejt rajonit.
Vlerësoni profilin personal të rrezikut dhe arsyen e udhëtimit.
Sigurohuni që keni siguracion udhëtimi që mbulon konfliktet dhe anulimet.
Situata mbetet dinamike dhe ndryshon nga ora në orë. Autoritetet ndërkombëtare presin që tensionet të vazhdojnë për disa javë, duke mbajtur pasigurinë e lartë për udhëtarët në Lindjen e Mesme./MXH
