Komisioneri i Industrisë i Bashkimi Evropian, Stephane Sejourne, deklaroi të mërkurën (4 mars) se kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për të ndërprerë marrëdhëniet tregtare me Spanjën përbëjnë një kërcënim ndaj gjithë bllokut evropian.
Duke folur gjatë një konference për shtyp në Bruksel, ai u shpreh se “çdo kërcënim tregtar ndaj një shteti anëtar është, sipas përkufizimit, kërcënim ndaj Bashkimit Evropian”, duke theksuar se çështjet tregtare janë kompetencë e BE-së.
Ndërkohë, Presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, ku bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez. Ai theksoi “solidaritetin e plotë të BE-së me Spanjën” dhe rikonfirmoi angazhimin e unionit ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit global të bazuar në rregulla.
Reagimet nga Brukseli vijnë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi të martën (3 mars) me vendosjen e një embargoje të plotë tregtare ndaj Spanjës. Kërcënimi pasoi vendimin e Madridit për të mos lejuar përdorimin e bazave ushtarake nga ana e SHBA-së për misione të lidhura me sulme ndaj Iranit.
Zhvillimet e fundit pritet të rrisin tensionet në marrëdhëniet transatlantike, ndërsa Bashkimi Evropian ka sinjalizuar se do të mbrojë interesat e çdo shteti anëtar si pjesë e një qëndrimi të përbashkët.
