Këngëtari Gjergj Leka, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, komentoi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në industrinë muzikore shqiptare.
Gjergj Leka u shpreh se pjesa më e madhe e këngëve të reja nuk janë krijuar nga autorë të vërtetë, por nga teknologjia, duke bërë që rreth 90% e materialeve të festivaleve të mos kenë autorë njerëzorë.
Këngëtari tha gjithashtu se po mendon që të anulojë edhe festivalin për fëmijë që kishte menduar ta organizonte, pasi sipas tij, më shumë se 3 çereku i këngëve janë me Inteligjencë Artificiale.
Aldo: Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën se si po krijohet dhe konsumohet, sidomos muzika në mbarë botën. Nuk është diçka që po ndodh vetëm nëpër botë, por edhe tek ne. Tek ne është pak e lehtë për t’u kuptuar, sepse është edhe gjuha e tillë, sepse robotët me Inteligjencë Artificiale e kanë të vështirë që të gërmëzojnë “ë-në”. Por, në botë ekziston pafund. Shumë njerëz po pyesin nëse kjo është e ardhmja,. Apo është një risi për artistët e vërtetë. Çfarë mendon ti Gjergj, kur dëgjon një këngë të krijuar me Inteligjencë Artificiale?
Gjergj Leka: Për mua është më e thjeshtë të flas, sepse kjo vetëm muzika në Shqipëri, por edhe Sanremo, nëse shikoje natën e dueteve, në dublimin e koreve ishte edhe Inteligjenca Artificiale, por kjo ama kuptohet nga profesionistët. Tek Inteligjenca Artificiale unë e shikoj me problem, tek pjesa e atyre që shkruajnë muzikë. Që tani nuk ke më autorë, ke vetëm teknikë kompjuterësh të zotë, që tashmë edhe për shqipen ia kanë gjetur. Nuk e kishin gjetur akoma deri para një viti dhe ky është një problem, sepse unë që organizoj festivale, u bënë dy vitet e fundit, që 90% e materialeve nuk më vijnë nga autorë. Vijnë nga emra të padëgjuar, që për mua nuk ekzistojnë. Të gjitha këngët janë me Inteligjencë Artificiale dhe ti nuk e kupton në gjithësi. Kanë arritur që të gënjejnë edhe profesionistët. Këtë vit që kam festivalin e fëmijëve po mendoj që ta anuloj, sepse nga 40 e ca këngë, 30 janë me Inteligjencë Artificiale./kb
