Italia do të dërgojë ndihmë në mbrojtje ajrore për vendet e Gjirit dhe mjete detare drejt Qipros pas sulmeve ajrore iraniane, njoftoi qeveria italiane të enjten. Vendimi vjen për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve dhe trupave italiane në rajon, si dhe për të garantuar sigurinë e energjisë.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, tha në parlament se Italia do të forcojë misionin e saj në Lindjen e Mesme me sisteme shtesë mbrojtëse, duke përfshirë anti-dronë dhe anti-raketa, ndërsa mbrojtja ajrore kombëtare do të vendoset në nivelin më të lartë.
“Kur përballemi me një reagim të pakujdesshëm, mund të presim gjithçka,” shtoi ai, duke iu referuar sulmeve të Iranit këtë javë. Përveç kësaj, Roma do të dërgojë anije për të mbrojtur Qipron së bashku me disa aleatë evropianë.
Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, njoftoi se qeveria ka ndihmuar deri tani rreth 10,000 qytetarë italianë të largohen nga zona e konfliktit, ku jetojnë dhjetëra mijëra italianë dhe ku janë vendosur mbi 2,500 trupa përpara fillimit të përshkallëzimit.
Ai shtoi se Italia është e gatshme të mbrojë ekonominë dhe familjet nga pasojat e krizës në Lindjen e Mesme dhe po finalizon masa për të mbështetur eksportuesit për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe vështirësive në rrugët e transportit detar./mxh
