Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi se vendi i tij do ta detyrojë Ukrainën të rihapë tubacionin e naftës Druzhba, duke përdorur mjete politike dhe financiare.
Gjatë një konference biznesi, Orban u shpreh se Budapesti nuk do të bëjë kompromis dhe se Hungaria do të fitojë këtë përballje.
“Do të fitojmë dhe do të fitojmë me forcë. Nuk do të ketë pakt apo kompromis. Do ta mposhtim bllokadën e naftës dhe do ta detyrojmë Ukrainën të rifillojë furnizimin,” deklaroi ai.
Megjithatë, kryeministri hungarez theksoi se Hungaria nuk planifikon të përdorë forcë ushtarake, por vetëm mjete politike dhe financiare për të ushtruar presion ndaj Kievit që të rihapë tubacionin pa kushte.
Furnizimi me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba drejt Hungarisë dhe Sllovakisë përmes Ukrainës është ndërprerë që nga fundi i janarit, pasi sipas Kievit infrastruktura u dëmtua rëndë nga një zjarr i shkaktuar gjatë një sulmi rus.
Hungaria dhe Sllovakia, dy vendet e vetme të Bashkimit Evropian që vazhdojnë të importojnë naftë ruse, kanë akuzuar Ukrainën se po e vonon qëllimisht rifillimin e furnizimit për arsye politike. Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase thonë se tubacioni nuk mund të riparohet shpejt.
Muajin e kaluar, Hungaria bllokoi edhe sanksione të reja të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, si dhe një kredi të madhe për Ukrainën, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjes për tubacionin Druzhba./mxh
