Një studim i ri sugjeron se vizitat tek dentisti mund të ndihmojnë në zbulimin e rasteve të Diabetes të padiagnostikuar përmes një testi të thjeshtë gjaku të kryer gjatë kontrollit dentar.
Në studim morën pjesë më shumë se 900 pacientë që po kryenin kontrolle dentare. Ata iu nënshtruan një testi për Hemoglobin A1C test, i cili mat nivelin mesatar të sheqerit në gjak dhe jep rezultate brenda rreth gjashtë minutash pa qenë nevoja që pacientët të agjërojnë.
Rezultatet treguan se rreth 29% e pacientëve kishin nivele të sheqerit në gjak që tregonin prediabet, ndërsa 7% kishin diabet të plotë. Asnjë prej tyre nuk kishte raportuar më parë një histori të diabetit.
Studiuesi Giuseppe Mainas nga King’s College London tha se vizitat dentare mund të ofrojnë një mundësi të rëndësishme për identifikimin e personave në rrezik, veçanërisht tek pacientët më të moshuar, ata me indeks më të lartë të masës trupore dhe personat me sëmundje të mishrave të dhëmbëve.
Ndërkohë, studiuesi kryesor Mark Ide theksoi se pacientët që rezultojnë me nivele të larta të hemoglobinës A1C mund të drejtohen më pas tek mjeku i familjes për analiza të mëtejshme.
Studiuesit gjithashtu gjetën se nivelet më të larta të sheqerit në gjak shfaqeshin më shpesh tek pacientët me sëmundje të rënda të mishrave të dhëmbëve, duke theksuar lidhjen midis shëndetit oral dhe shëndetit metabolik.
Sipas profesorit Luigi Nibali, marrëdhënia mes sëmundjes së mishrave të dhëmbëve dhe diabetit është dypalëshe: inflamacioni mund të ndikojë në sistemin metabolik dhe, njëkohësisht, problemet metabolike mund të përkeqësojnë sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.
Studiuesit planifikojnë të shqyrtojnë më tej përdorimin e këtij testi në ambiente të tjera të kujdesit shëndetësor dhe të analizojnë ndikimin e faktorëve të stilit të jetesës, si dieta, në nivelet e sheqerit në gjak dhe shëndetin oral./ kb
