Last Updated on 06/03/2026 by Anisa
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me përdorimin e numrit “0900” gjatë debatit të tensionuar në seancën plenare të Kuvendit.
Në një reagim publik, Malaj e cilësoi deklaratën e Ballës si të pavërtetë dhe mashtruese, duke theksuar se nuk ekziston asnjë numër zyrtar i Bashkimit Evropian që fillon me “0900” për dhënie informacioni.
Reagimi i Arben Malajt
Debati për numrin “0900” nisi gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku pati përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Teksa fliste nga foltorja për çështjen e integrimit, Taulant Balla iu përgjigj ndërhyrjeve të opozitës nga vendi duke përdorur ironi me “numra telefoni”.
“Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju pyesnim si duhet bërë. Për ty Albana kemi numrin 0900”, u shpreh ai.
Deklarata u pasua menjëherë nga reagime të ashpra në sallë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi ndërprerjen e seancës dhe përdori një gjuhë të ashpër ndaj Ballës, çka e përshkallëzoi më tej debatin mes deputetëve. Situata e tensionuar bëri që seanca të ndërpritej.
Pas polemikave, Balla deklaroi se përdorimi i numrit “0900” nuk kishte qenë në kontekst fyes ndaj deputetes Albana Vokshi. Ai tha se i referohej një numri informacioni për Bashkimin Evropian dhe shtoi se, nëse deklarata e tij është perceptuar si ofenduese, kërkon ndjesë./fjala.al-A.D
