Last Updated on 06/03/2026 by
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka sulmuar sërish Ukrainën, duke e akuzuar për vendosjen e një bllokade nafte kundër Hungarisë. Problemi lidhet me ndërprerjen e furnizimeve të naftës, të cilën Orban e blen nga Rusia përmes tubacionit Druzhba, i cili kalon përmes Ukrainës dhe u dëmtua nga një sulm rus në janar.
Orban dyshon se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk po merr masat e nevojshme për riparimin e tubacionit.
“Do t’i detyrojmë ukrainasit të rivendosin transportin e naftës sonë. Nuk do të ketë as marrëveshje, as kompromis. Do të thyejmë bllokadën ukrainase të naftës me forcë dhe do të dalim fitimtarë”, deklaroi ai.
Duke u përballur me rrezikun e një humbjeje në zgjedhjet legjislative të 10 prillit, Orban ka adoptuar një ton më agresiv ndaj Ukrainës. Për këtë arsye, Hungaria ka bllokuar një huamarrje evropiane prej 90 miliardë eurosh dhe paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë./kb