Last Updated on 06/03/2026 by Anisa
Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti i opozitës Bardh Spahia kritikon ashpër sjelljen e mazhorancës në Kuvend, duke e cilësuar atë si një shfaqje të banalitetit dhe arrogancës me pushtet.
“Çfarë po shohim çdo ditë në foltoren e Kuvendit nuk është debat politik, por banalitet dhe arrogancë tipike e injorancës me pushtet,” thekson Spahia. Ai shton se Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, “është shndërruar në simbolin e gojës së pistë dhe zëdhënësit të interesave më të errëta në këtë vend.”
Sipas Spahisë, mungesa e fakteve dhe frika nga llogaridhënia i shtyjnë përfaqësuesit e mazhorancës drejt banalitetit: “Gjuha e rrugës dhe fyerjet ndaj opozitës janë maska për të fshehur lidhjet me grupet kriminale që diktojnë votat dhe fatet e qytetarëve, përfshirjen në skemat e korrupsionit dhe frikën nga drejtësia që herët a vonë do të kërkojë shpjegime për çdo emër në përgjimet e botës së krimit.”
Deputeti opozitar thekson se është alarmante kur ligjvënësit përdorin të njëjtin kod komunikimi si ata që i shkelin ligjet: “Një përfaqësues që flet me gjuhën e bandave nuk përfaqëson socialistët e thjeshtë apo qytetarët e ndershëm, por vetëm botën banale dhe injorante të krimit që ka marrë peng Shqipërinë.”
Ai përfundon reagimin me një thirrje të qartë: “Nuk mund të ketë moral një kuvend ku ‘goja e pistë’ përdoret si mburojë për duart e pista. Shqiptarët nuk meritojnë një model degradimi. Mjaft me gjuhën e rrugës në tempullin e ligjit!”/fjala.al-A.D
Reagimi i plotë
KUR KRIMI FLET ME GOJËN E PUSHTETIT!
Ajo që shohim çdo ditë në foltoren e Kuvendit nuk është debat politik, por banalitet dhe arrogancë tipike e injorancës me pushtet.
Taulant Balla, njeriu që duhet të përfaqësonte ligjin si kryetar i grupit parlamentar të PS-së, është shndërruar në simbolin e gojës së pistë dhe zëdhënësit të interesave më të errëta në këtë vend.
Kur mungojnë faktet, kur llogaridhënia tmerron dhe kur dosjet e krimit trokasin në derë, zgjidhja e vetme e tyre është banaliteti. Gjuha e rrugës dhe fyerjet ndaj opozitës janë thjesht një maskë për të fshehur liidhjet e dokumentuara me grupet kriminale që diktojnë votat dhe fatet e qytetarëve.
Përfshirjen në skemat e korrupsionit që po gllabërojnë çdo pasuri publike.
Frikën nga drejtësia që herët a vonë do të kërkojë shpjegime për çdo emër në përgjimet e botës së krimit.
Është alarmante që njeriu që bën ligjet, përdor të njëjtin kod komunikimi si ata që i shkelin ato. Një përfaqësues që flet me gjuhën e bandave nuk përfaqëson socialistët e thjeshtë e as qytetarët e ndershëm, por vetëm botën banale dhe injorante të krimit që ka marrë peng Shqipërinë.
Nuk mund të ketë moral një kuvend ku “goja e pistë” përdoret si mburojë për duart e pista!
Shqiptarët nuk meritojnë një model të tillë degradimi.
Banaliteti i Taulant Ballës, servilizmi i bindur i Niko Peleshit dhe i kësaj mazhorance është dëshmia më e qartë se ky regjim ka rënë moralisht dhe tani po vegjeton përmes dhunës verbale dhe aleancave me krimin.
Mjaft me gjuhën e rrugës në tempullin e ligjit!