Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi qeverinë e Libanit që të çarmatosë lëvizjen Hezbollah, duke theksuar se në të kundërt vendi do të përballet me “një çmim shumë të rëndë”.
Në një video të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Izraelit, Katz deklaroi se Izraeli nuk ka pretendime territoriale ndaj Libanit, por nuk do të tolerojë sulme nga territori libanez.
“Nuk kemi pretendime territoriale ndaj Libanit, por nuk do të pranojmë që të rikthehet situata e viteve të kaluara, kur nga territori i Libanit qëllohej drejt shtetit të Izraelit,” tha Katz. “Prandaj po paralajmërojmë: veproni dhe merrni masa para se të detyrohemi të veprojmë edhe më fort.”
Tensionet në rajon u përshkallëzuan pasi të hënën Hezbollahu ndërmori sulme me raketa ndaj Izraelit, duke e përfshirë Libanin në konfliktin më të gjerë në Lindjen e Mesme. Izraeli iu përgjigj me një fushatë të re ushtarake.
Sipas raportimeve, ofensiva ka detyruar qindra mijëra banorë në Liban të largohen nga shtëpitë e tyre.
Pamjet e publikuara të shtunën tregojnë se në periferitë jugore të Bejrutit, zona të kontrolluara nga Hezbollahu, shumë ndërtesa janë shndërruar në rrënoja të tymosura dhe struktura metalike të shkatërruara, pas bombardimeve të rënda izraelite që pasuan një urdhër evakuimi për civilët./mxh
