Policia e Nju Jorkut po heton një sulm gjatë një proteste pranë rezidencës së kryebashkiakut të qytetit, si një akt të dyshuar terrorizmi të frymëzuar nga ISIS.
Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, deklaroi në një konferencë për shtyp se dy persona dyshohet se hodhën pajisje shpërthyese artizanale në turmën e protestuesve gjatë demonstratës së zhvilluar të shtunën pranë rezidencës së kryebashkiakut, Gracie Mansion.
Sipas saj, testet paraprake treguan se pajisjet nuk ishin mjete mashtruese apo bomba tymuese, por pajisje të vërteta shpërthyese që mund të kishin shkaktuar plagosje të rënda apo edhe viktima.
Tisch bëri të ditur se një nga pajisjet përmbante TATP, një lëndë shpërthyese shumë të paqëndrueshme të prodhuar në mënyrë artizanale, e cila është përdorur edhe në sulme të tjera terroriste në botë.
Policia gjithashtu gjeti një automjet të lidhur me të dyshuarit, brenda të cilit u zbuluan një tjetër pajisje e mundshme shpërthyese dhe materiale për prodhimin e bombave.
Autoritetet amerikane pritet të ngrenë akuza federale ndaj dy të dyshuarve gjatë ditës së sotme në Manhattan.
Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili tha se autoritetet do të vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit./mxh
