Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të socialistëve për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se është kthyer në mbrojtës politik të korrupsionit.
Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se vendimi për të refuzuar kërkesën e SPAK nuk është juridik, por politik dhe i paracaktuar.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë se vendimi i Edi Ramës për t’u bërë avokat i korrupsionit nuk është marrë dje. Ky vendim nuk ka asnjë lidhje me ndonjë fakt juridik, sepse provat janë aty. Ky është një vendim politik i marrë që ditën e parë të ngritjes së akuzës. Është një vendim i paracaktuar, njësoj si tenderat për të cilat është marrë e pandehur dhe po hetohet Belinda Balluku.
Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik. Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij”, deklaroi Bardhi.
Sipas Bardhit, në dosjen hetimore ekzistojnë mijëra mesazhe mes Ballukut dhe vartësve të saj, të cilat sipas tij tregojnë ndërhyrje të paligjshme në procedurat e tenderave për të favorizuar kompani të caktuara.
