Përshkallëzimi i fundit i konfliktit në Liban ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare, me qindra mijëra njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, mbi 667 mijë persona janë regjistruar tashmë si të zhvendosur brenda vendit.
Përfaqësuesja e UNHCR-së në Liban, Karolina Lindholm Billing, tha se numri i të zhvendosurve është rritur me rreth 100 mijë persona vetëm brenda një dite, ndërsa shifrat vazhdojnë të rriten.
Sipas saj, përshkallëzimi i konfliktit nisi më 2 mars, kur ushtria izraelite lëshoi paralajmërime evakuimi për banorët e më shumë se 53 fshatrave dhe zonave të dendura të populluara në Liban, ndërsa sulmet ajrore u intensifikuan.
Rreth 120 mijë nga të zhvendosurit janë strehuar në qendra kolektive të përcaktuara nga qeveria, ndërsa shumë të tjerë po qëndrojnë tek familjarët apo miqtë, ose vazhdojnë të kërkojnë strehim. Në shumë zona, familje të tëra po flenë në makina apo në trotuare, pasi u larguan me nxitim dhe pa marrë pothuajse asgjë me vete.
Shumë prej tyre janë zhvendosur për herë të dytë që nga përplasjet e vitit 2024, duke kërkuar siguri në Bejrut, në rajonin e Malit të Libanit, në veri të vendit dhe në disa zona të Bekasë.
Ndërkohë, është rritur edhe numri i personave që po kalojnë drejt Sirisë. Sipas autoriteteve siriane, më shumë se 78 mijë sirianë kanë hyrë në vend nga Libani që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit, së bashku me mbi 7 mijë e 700 shtetas libanezë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi gjithashtu për një bilanc të rëndë viktimash. Deri më 9 mars, të paktën 486 persona janë vrarë dhe mbi 1 mijë e 300 janë plagosur. Rreth 20 për qind e viktimave janë fëmijë, një përqindje e lartë krahasuar me konfliktet e mëparshme.
Sipas përfaqësuesit të OBSH-së në Liban, Abdinasir Abubakar, numri i lartë i viktimave mes fëmijëve dhe grave lidhet me faktin se shumica e sulmeve po ndodhin në qendra urbane, përfshirë kryeqytetin Bejrut.
Ndërkohë, sistemi shëndetësor në vend po përballet me presion të jashtëzakonshëm. Pesë spitale janë tashmë jashtë funksionit, katër të tjera janë dëmtuar pjesërisht, ndërsa 43 qendra të kujdesit shëndetësor parësor janë mbyllur, kryesisht në jug të vendit./mxh