Siguria ushqimore në Shqipëri vijon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për qytetarët, sidomos në një kohë kur një pjesë e madhe e produkteve që konsumohen çdo ditë vijnë nga importi.
Nga frutat dhe perimet, te produktet e mishit, bulmetit apo mielli, zinxhiri i furnizimit është i gjatë dhe shpesh i vështirë për t’u kontrolluar plotësisht. Për këtë arsye, gjithnjë e më shpesh ngrihen shqetësime mbi cilësinë e produkteve që përfundojnë në tryezat e familjeve shqiptare.
Në këtë kuadër, fermerja Filloreta Prifti ngre një sërë shqetësimesh lidhur me cilësinë e ushqimeve që qarkullojnë në treg. Ajo thotë se situata është alarmante dhe se sipas saj, mungesa e masave konkrete për kontrollin e produkteve ushqimore rrezikon shëndetin e konsumatorëve.
“Situata e ushqimeve është katastrofike, sepse një popull që ka mbetur ‘një grusht’ po shfaroset në mënyrë të ngadaltë. Unë këtë do ta quaja ‘gjenocid ushqimor’, pra njerëz që punojnë e sakrifikojnë dhe në fund blejnë vetëm helme. Për të ndaluar këtë helmim masiv që po i bëhet popullit nuk po merret asnjë masë. Sistemi i sigurisë ushqimore në Shqipëri është në kaos total, një vend ku punohet pa rregulla”,-tregon Prifti.
Sipas saj, qytetarët duhet të tregojnë më shumë kujdes për produktet që konsumojnë dhe të informohen për origjinën dhe përbërjen e tyre, pasi një pjesë e madhe e ushqimeve që gjenden në treg vijnë nga importi. Prifti thekson se shteti nuk bën kontrolle dhe nuk ka rregulla të ndjekura për të parë situatën aktuale.
“Ajo që njerëzit duhet të dinë është që para se të gëlltisin një kafshatë duhet të mendojnë se nga vjen, çfarë helmesh ka, kush e prodhon dhe sa i kontrolluar është ky ushqim. 80 për qind e ushqimeve në Shqipëri vjen nga importi dhe nga disa subjekte që nuk kujdesen fare për cilësinë, pasi u intereson vetëm fitimi. Shteti nuk bën asnjë kontroll dhe nuk ka asnjë rregull, por edhe ata pak fermerë që mbjellin në Shqipëri përdorin plehra kimike si glifosati, herbicidet dhe pesticidet për të rritur sasitë e prodhimeve”,-thotë fermerja.
Prifti tregon se shqetësuese mbetet edhe cilësia e disa produkteve bazë ushqimore, që sipas saj përdoren gjerësisht në përditshmëri nga familjet shqiptare. Ajo përmend këtu llojet e ndryshme të vajit, produktet e mishit e bulmetit si edhe miellin.
“Është e gjithë gama e ushqimeve, duke filluar nga vajrat që unë i konsideroj ‘lubrifikantë’, produktet e mishit dhe bulmetit dhe tek mielli e nënproduktet e tij. I gjithë mielli dhe ato që prodhohen nga mielli në Shqipëri janë të helmuara. Mielli është totalisht pre e përdorimit të glifosatit dhe e mbajtjes së gjatë në magazina. Njerëzit duhet të fillojnë të zgjohen, të gjejnë zgjidhje individuale”-tregon fermerja.
Siguria ushqimore në Shqipëri/ Fermerja ngre alarmin: Po hamë
Sipas saj, problematikë mbetet edhe origjina e ushqimit që përdoret për bagëtitë, pasi një pjesë e madhe e tij vjen nga jashtë vendit dhe përmban pesticide.
“Një pjesë e mirë e bagëtive sot vjen nga jashtë, por edhe ato që rriten në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre ushqehen me produkte që vijnë nga importi. Këtu përmend grurin që është me helm, si himja, pra lëkura e një gruri që përdoret si ushqim për bagëtitë. Rrjedhimisht, ai qumësht dhe ai mish është i helmuar. Po ashtu edhe misri dhe elbi që vijnë nga jashtë janë me pesticide”,-u shpreh Prifti.
Fermerja ngre gjithashtu pikëpyetje për rolin e institucioneve përgjegjëse për kontrollin e produkteve ushqimore. Sipas Priftit, institucioni i AKU-së nuk po bën asgjë për të kontrolluar produktet ushqimore që konsumojnë shqiptarët.
“Unë e di që ekziston institucioni i AKU-së, por nuk e di se çfarë bën ky institucion. A bën njeri ndonjë studim mbi sëmundjet që sjellin këtë pllakosje ‘të së keqes’ për shëndetin e shqiptarëve? Nuk bën njeri asnjë analizë se nga shkaktohet kjo gjë. Nuk e dimë me çfarë merren këto institucione”,-tha Prifti.
Siguria ushqimore mbetet një çështje që kërkon vëmendje të vazhdueshme në mënyrë që produktet që arrijnë tek konsumatorët të jenë të sigurta për shëndetin. Ndërsa shqetësimet vazhdojnë të ngrihen nga fermerët, mbetet thelbësore që institucionet përgjegjëse të forcojnë kontrollet dhe monitorimin në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve. Vetëm përmes rregullave të qarta, analizave të vazhdueshme dhe transparencës ndaj konsumatorëve mund të garantohet që produktet që përfundojnë në tryezën e shqiptarëve të jenë të sigurta për shëndetin./kb
