Ish-deputeti socialist Arben Malaj ka shpallur synimin për të garuar si kandidat i pavarur në zgjedhjet e ardhshme vendore për drejtimin e Bashkisë së Vlorës.
Gjatë një interviste televizive, ai bëri të ditur se vendimi për kandidim është tashmë përfundimtar, edhe pse sipas tij ekzistojnë pengesa që lidhen me rregullat e financimit të fushatave për kandidatët jashtë partive politike.
Malaj e argumentoi këtë hap si një përgjegjësi personale ndaj qytetit të Vlorës, duke theksuar lidhjen e hershme që ka me jetën politike dhe publike të qytetit.
Ai kujtoi se ka qenë kandidat për kryetar bashkie që në fillim të viteve ’90 dhe më pas deputet, si dhe ka ushtruar detyra të rëndësishme në qeveri.
Duke iu referuar një gare të mëparshme si i pavarur, ai nënvizoi se ka arritur të sigurojë një mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët, çka sipas tij tregon besimin që ekziston ndaj alternativave jashtë partive tradicionale.
Në fund, Malaj u shpreh se synon të vendosë në dispozicion të qytetit eksperiencën dhe njohuritë e tij, me qëllim për të kontribuar në zhvillimin dhe përmirësimin e jetës në Vlorë./Mxh
