Bashkimi Evropian deklaron se është i gatshëm të marrë çdo masë të nevojshme për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe çdo rrezik të mundshëm për furnizimin, në koordinim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për energjinë, Anna-Kaisa Itkonen, tha gjatë një konference për shtyp në Bruksel se rezervat emergjente të naftës të Bashkimit Evropian janë aktualisht të plota dhe se, për momentin, nuk ka probleme të menjëhershme me furnizimin me gaz apo naftë në vendet e bllokut.
“Rezervat tona emergjente të naftës janë të plota. Nuk shohim një problem të menjëhershëm të sigurisë së furnizimit në Bashkimin Evropian, as për gazin dhe as për naftën në afat të shkurtër. Megjithatë, ne jemi gati të marrim të gjitha masat e nevojshme në koordinim me vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë”, u shpreh Itkonen.
Sipas saj, bordi drejtues i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë zhvilloi një mbledhje për të diskutuar mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta, ndërsa detajet përfundimtare pritet të bëhen publike nga vetë agjencia.
Ndërkohë, grupi i koordinimit të naftës në Bashkimin Evropian do të zhvillojë një tjetër takim online të enjten për të shqyrtuar kërkesën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dhe planet e vendeve anëtare.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po shqyrton mundësinë e lirimit të një sasie të madhe rezervash strategjike të naftës, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës në tregjet globale, në një kohë kur tensionet dhe konflikti mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit kanë rritur pasigurinë në tregjet energjetike.
Nëse miratohet, kjo do të ishte lirimi më i madh i rezervave të naftës në historinë e agjencisë.
Ministrat e energjisë të vendeve të G7 kanë shprehur mbështetje në parim për këtë ide, por nuk kanë arritur ende një marrëveshje përfundimtare për lirimin e rezervave strategjike të naftës./MXH
