Papa Leo zhvilloi këtë të mërkurë një takim në Vatikan me udhëheqësin më të lartë katolik të Iranit, kardinalin Dominique Mathieu, i cili është evakuuar nga Teherani për shkak të luftës në vazhdim në rajon.
Kardinali Mathieu, me origjinë nga Belgjika dhe që shërben në Iran që prej vitit 2021, u takua me Atin e Shenjtë në kuadër të axhendës së përditshme të takimeve të Papës në Vatikan.
Selia e Shenjtë nuk dha detaje lidhur me përmbajtjen e këtij takimi, pasi zakonisht nuk komenton mbi takimet e brendshme të Papës me drejtues të Kishës Katolike.
Ndërkohë, arkidioqeza katolike e Teheranit ndodhet brenda territorit të ambasadës italiane në Iran, e cila është evakuuar dhe është mbyllur përkohësisht për shkak të situatës së sigurisë.
Në raste konfliktesh, peshkopët katolikë shpesh qëndrojnë në vend për të shërbyer komunitetet e tyre lokale. Megjithatë, në Iran jetojnë vetëm disa mijëra katolikë dhe shumë prej tyre janë larguar nga vendi për shkak të përshkallëzimit të luftës./MXH
