Kreu i opozitës kryesore në Turqi, Ozgur Ozel, ka kritikuar ashpër qëndrimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan lidhur me luftën në Iran dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për Reuters, lideri i Partisë Republikane Popullore (CHP) deklaroi se heshtja dhe mungesa e një qëndrimi të qartë nga ana e Turqisë po inkurajon, sipas tij, veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.
“Turqia, si fqinj i Iranit, duhet të vendosë si kusht kryesor parandalimin e viktimave civile. Heshtja dhe mungesa e një qëndrimi të qartë në këtë situatë në fakt po inkurajon SHBA-në dhe Izraelin,” u shpreh Ozel.
Ai shtoi se ndonëse Turqia nga jashtë duket sikur po ndjek një politikë të balancuar, neutraliteti i tepruar në këtë rast është në fakt një formë e marrjes së anës.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë një plan të tyre për rajonin, të cilin po e zbatojnë së bashku me Izraelin, ndërsa Turqia, sipas Ozel, nuk po konsultohet dhe nuk po merret parasysh në vendimmarrje.
“Mosreagimi i Turqisë ndaj përdorimit disproporcional të forcës nuk është neutralitet,” theksoi ai.
Lideri i opozitës kritikoi gjithashtu marrëdhënien mes presidentit Erdogan dhe presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si një marrëdhënie personale të bazuar në interesa.
“Erdogan duket se thotë po për gjithçka dhe qëndron i heshtur vetëm për të ruajtur marrëdhënie të mira me Trump. Kjo është shumë e rrezikshme për politikën e jashtme të Turqisë,” tha Ozel.
Ai shtoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë larguar nga modeli i dy aleatëve të barabartë në NATO dhe po shndërrohen në një marrëdhënie ku njëra palë sillet si superiore ndaj tjetrës.
Nga ana tjetër, presidenca turke ka hedhur poshtë këto kritika. Një zëdhënës i zyrës së presidentit Erdogan deklaroi se lideri turk i ka dënuar publikisht sulmet e SHBA-së dhe Izraelit dhe se akuzat e opozitës janë të pabazuara./MXH
