Një studim i ri sugjeron se përbërësit natyralë që gjenden tek qershitë e ëmbla të errëta mund të ndihmojnë në ngadalësimin e rritjes së një forme agresive të kancerit të gjirit.
Hulumtimi u krye nga një ekip shkencëtarësh në Universitetin A&M të Teksasit, të cilët analizuan përbërësit bimorë të quajtur antocianina – substanca që u japin qershive ngjyrën e kuqe të thellë. Sipas rezultateve të studimit, këta përbërës arritën të ngadalësojnë rritjen e tumorit dhe të reduktojnë përhapjen e kancerit në organe të tjera gjatë testeve laboratorike me minj.
Studimi u përqendrua te kanceri i gjirit trefish negativ, një formë e sëmundjes që konsiderohet më agresive dhe më e vështirë për t’u trajtuar, pasi nuk ka receptorë të estrogjenit, progesteronit apo proteinën HER2 – elementë që zakonisht shërbejnë si objektiva për terapitë.
Sipas shkencëtares Giuliana Noratto nga Departamenti i Shkencës dhe Teknologjisë Ushqimore në Texas A&M, ky lloj kanceri ka një ritëm të shpejtë të ndarjes së qelizave dhe ka më shumë gjasa të përhapet në organe të tjera, si mushkëritë dhe truri.
Në studimin e publikuar në revistën shkencore International Journal of Molecular Sciences, minjtë u ndanë në katër grupe: disa morën antocianina nga qershitë përpara formimit të tumoreve, disa u trajtuan vetëm me kimioterapi, një grup mori kombinim të të dyjave, ndërsa një tjetër shërbeu si grup kontrolli.
Rezultatet treguan se minjtë që morën përbërësit e qershisë kishin rritje më të ngadaltë të tumorit dhe më pak përhapje të kancerit në organe të tjera. Kur këta përbërës u kombinuan me kimioterapinë, efektet pozitive u shfaqën edhe më herët gjatë trajtimit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate janë ende në fazat fillestare, pasi studimi është kryer vetëm tek kafshët. Sipas tyre, nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse këta përbërës mund të kenë të njëjtin efekt edhe tek njerëzit dhe si mund të përdoren në kombinim me trajtimet ekzistuese kundër kancerit./mxh
