Dhjetëra protestues u mblodhën këtë të diel përpara bazës ajrore ushtarake Sigonella në ishullin italian të Siçilisë, për të kundërshtuar përdorimin e saj nga Shtetet e Bashkuara në konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Baza ajrore Sigonella, rreth 16 kilometra në jugperëndim të qytetit Catania, përdoret nga Marina Amerikane dhe Forcat Ajrore Italiane dhe shërben gjithashtu si një nga qendrat kryesore operative të NATO-s për misionet e zbulimit dhe mbikëqyrjes.
Protestuesit kritikuan përdorimin e kësaj baze për operacionet ushtarake që, sipas tyre, po kontribuojnë në përshkallëzimin e konfliktit me Iranin. Ata kërkuan që qeveria italiane të ndërmarrë hapa për të mos lejuar përdorimin e territorit të vendit në sulme që, sipas tyre, shkaktojnë viktima civile.
Protesta vjen në një kohë kur lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit është përhapur në disa pjesë të Lindjes së Mesme dhe po hyn në javën e tretë, ndërsa bilanci i viktimave ka kaluar mbi 2 mijë persona, shumica në Iran dhe Liban./mxh
