Papa Leo bëri këtë të diel një thirrje të fortë për armëpushim të menjëhershëm në konfliktin që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme. Gjatë lutjes tradicionale të Angelusit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjtë shprehu shqetësim të thellë për dhunën që, sipas tij, ka shkaktuar mijëra viktima civile.
Papa theksoi se prej dy javësh popujt e rajonit po përballen me një dhunë të tmerrshme lufte, ku mijëra njerëz të pafajshëm kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Ai shprehu solidaritet me familjet që kanë humbur të afërmit e tyre në sulmet që kanë goditur shkolla, spitale dhe zona të banuara.
Ati i Shenjtë ngriti gjithashtu shqetësimin për situatën në Liban, duke theksuar se vendi po përballet me një krizë serioze dhe se është e domosdoshme të gjenden rrugë dialogu për të arritur zgjidhje afatgjata në të mirë të popullit libanez.
Në mesazhin e tij, Papa u bëri thirrje palëve të përfshira në konflikt të ndalin menjëherë luftimet dhe të rikthejnë dialogun, duke theksuar se dhuna nuk do të sjellë kurrë drejtësinë, stabilitetin dhe paqen që popujt e rajonit presin./mxh
