Mijëra mbështetës të Kryeministrit hungarez, Viktor Orban, marshuan këtë të diel në rrugët e Budapestit, ndërsa partitë politike të vendit përgatiteshin për një shfaqje të fuqisë vetëm katër javë para zgjedhjeve vendimtare.
Orban, në pushtet që nga viti 2010, përballet me sfidën më të madhe për rizgjedhje pas tre vitesh stagnim ekonomik, rritjes së shtrenjtësisë dhe përballjes me një rival pro-Bashkimit Europian, Peter Magyar, i cili shihet nga shumë votues si një alternativë e besueshme.
Partia e Orban, Fidesz, dhe opozita qendrore e djathtë, Tisza, drejtuar nga Magyar, organizuan marshime masive në kryeqytet për të përkujtuar Ditën Kombëtare të 15 Marsit dhe për të mobilizuar mbështetësit e tyre. Shumica e sondazheve tregojnë se Tisza ka avantazh të konsiderueshëm.
Orban ka paraqitur zgjedhjet si një zgjedhje mes “luftës dhe paqes”, duke akuzuar rivalët se synojnë të përfshijnë Hungarinë në konfliktin e Ukrainës pas pushtimit rus të shkurtit 2022, akuza që opozita i ka mohuar.
Megjithatë, mesazhet e Orban-it gjetën jehonë te mbështetësit e tij, të cilët marshuan drejt parlamentit për të dëgjuar fjalimin e liderit veteran nacionalist.
Ndërkohë, Magyar ka kritikuar fushatën e Orban si “propagandë qesharake”, ndërsa Tisza ka marrë qëndrim të kujdesshëm për Ukrainën, duke kundërshtuar çdo anëtarësim të shpejtë të Kievit në BE dhe duke thënë se do ta vendosë çështjen në një referendum të detyrueshëm nëse arrin në pushtet./mxh
