Java e 26-të e kampionatit të Kategorisë së Parë u zhvillua të shtunën me të gjashta ndeshjet që nisën në orën 15:00.
Kryesuesit e Skënderbeut morën një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Apoloninë me rezultatin minimal 0-1 në stadiumin “Loni Papuçiu”. Tre pikë të rëndësishme mori edhe Laçi, që fitoi 0-1 në transfertë ndaj Korabit.
Një nga sfidat më të bukura të javës u zhvillua në stadiumin “Luz i Vogël”, ku Pogradeci triumfoi 2-3 ndaj Besës në një ndeshje me pesë gola.
Iliria arriti një fitore minimale 1-0 ndaj Kastriotit në stadiumin “Redi Maloku”, ndërsa dy takime përfunduan pa gola. Burreli dhe Kukësi ndanë nga një pikë pas barazimit 0-0 në stadiumin “Liri Ballabani”, po me të njëjtin rezultat u mbyll edhe përballja mes Lushnjës dhe AF Luftëtarit në stadiumin “Roza Haxhiu”./mxh
