Last Updated on 16/03/2026 by Anisa
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salinji përmes një postimi në “X” ka reaguar lidhur me zhvillimet në mbledhjen e Kryesisë së PD-së. Salianji shkruan se Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut.
Sipas tij Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar. Ndër të tjera ai u shpreh se veprime të tilla duke imituar modelin e kryeministrit Edi Rana nuk është zgjedhje por uzurpim.
“Nuk ka shërbim më të madh për Edi Ramën sesa të sillesh dhe të veprosh njësoj si ai. Rama është nën presion ndërkombëtar për shmangien e ligjit, për shkeljen e barazisë para ligjit dhe për përpjekjen për të ndryshuar rregullat për pezullimin e ministrave Kryeministrit.
Opozita nuk mund të bjerë në të njëjtën kurth me ndryshim rregullash dhe sulm ndaj ndërkombëtarëve! Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut. Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar.
Çdo veprim që imiton modelin e Ramës nuk është zgjidhje, por uzurpim. Dhe çdo uzurpim i tillë i bën autorët e tij përgjegjës përpara opozitarëve dhe përpara shoqërisë. Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: uzurpim të rregullave, shkatërrim të degëve përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve.
Nëse opozita fillon të sillet si pushteti që denoncon, atëherë dëmton jo vetëm veten, por edhe besimin e qytetarëve tek alternativa. Sepse në fund lind pyetja që askush nuk do ta dëgjojë, por që shumë qytetarë tashmë e bëjnë: mos vallë loja është e njëjtë dhe palët janë më afër se sa duken?”, shkruan Salianji në X.
