Në mes të luftës dhe zhvendosjes masive të popullsisë në Bejrut, një berber ka zgjedhur të ndihmojë në mënyrën e tij, duke ofruar qethje falas për të zhvendosurit.
Daniel Saide thotë se, që në ditët e para të konfliktit, ndjeu nevojën të ishte pranë njerëzve në rrugë, edhe pse vetë nuk ishte detyruar të largohej nga shtëpia.
Ai filloi spontanisht duke qethur një person, ndërsa shumë shpejt u rrethua nga të tjerë që prisnin radhën. Me kalimin e ditëve, prania e tij u bë e njohur dhe njerëzit e prisnin me entuziazëm në zona të ndryshme të qytetit.
Për Saide, kjo nismë shkon përtej një shërbimi të thjeshtë.
Sipas tij, qethja ofron jo vetëm një lehtësim estetik, por mbi të gjitha ndihmon në çlirimin emocional, duke u dhënë njerëzve mundësinë të flasin dhe të ndihen më të qetë në një kohë krize.
Nisma e tij ka frymëzuar edhe berberë të tjerë, të cilët i janë bashkuar për të ndihmuar të zhvendosurit në qendër të qytetit.
Ndërkohë, situata në Liban mbetet e rëndë. Sipas autoriteteve, mbi 1 milion persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa dhjetëra mijëra jetojnë në strehime kolektive.
Konflikti u përshkallëzua pasi grupi Hezbollah hapi zjarr ndaj Izrael, duke përfshirë vendin në luftën më të gjerë në rajon.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, mbi 880 persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite, ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rritet./mxh
