Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar për një seri takimesh të rëndësishme. Ai pritet të takohet me King Charles III, kryeministrin Keir Starmer, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe do të mbajë një fjalim në parlamentin britanik.
Shërbimi presidencial publikoi një video ku Zelenskiy u shfaq duke zbritur nga avioni dhe duke përshëndetur zyrtarë, përfshirë edhe ambasadorin ukrainas në Britani, Valeriy Zaluzhnyi.
Gjatë vizitës, Britania dhe Ukraina do të bien dakord për bashkëpunim në shitjen e teknologjisë së dronëve jashtë vendit, një nismë që synon të forcojë mbështetjen për Kievin, veçanërisht në kushtet e rritjes së çmimeve të naftës pas luftës në Iran, të cilat kanë favorizuar Rusinë.
Që nga pushtimi i plotë rus katër vjet më parë, Ukraina është shndërruar në një lider botëror në teknologjinë e dronëve dhe kundër-dronëve. Britania, si aleat i ngushtë, synon të ndihmojë Ukrainën që këtë përvojë ta përdorë për të mbështetur vendet e Gjirit Persik, të cilat janë sulmuar rregullisht nga Irani dhe dronët Shahed që Teherani ka furnizuar për Moskën, duke u bërë një nga armët kryesore të Rusisë.
Ky bashkëpunim pritet të forcojë sigurinë dhe mbrojtjen e vendeve aleate, duke shfrytëzuar ekspertizën ukrainase në teknologji ushtarake të avancuar./mxh
