Last Updated on 24/06/2026 by Anisa
Forcat e Policisë së Tiranës dhe Krujës kanë vijuar këtë të mërkurë një operacion të gjerë në zonat malore të Krujës, me qëllim evidentimin dhe asgjësimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike.
Sipas të dhënave zyrtare, operacioni është shtrirë në terrene të vështira dhe zona të thella malore, ku deri tani janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë rrënjë kanabis të kultivuara në afro 100 parcela të ndryshme. Parcelat, të shpërndara në disa pika të izoluara, përmbanin secila nga 50 deri në 100 bimë narkotike.
Aksioni po zhvillohet në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe është i koordinuar mes strukturave të Policisë së Tiranës dhe Krujës, me fokus identifikimin dhe ndjekjen ligjore të personave të përfshirë.
Edhe pse deri në këtë fazë nuk janë kryer arrestime, hetimet kanë bërë të mundur identifikimin e disa personave të dyshuar si posedues dhe administrues të parcelave. Këta shtetas janë shpallur në kërkim dhe po vijojnë procedurat për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Në terren janë angazhuar rreth 15 grupe policore, të cilat po kryejnë kontrolle intensive në gjithë zonën malore. Operacioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, me synimin për të goditur çdo rast të kultivimit të paligjshëm dhe për të çmontuar rrjetet e përfshira në këtë veprimtari./ad
