Një grua 50-vjeçare nga Tennessee, SHBA, pretendon se kaloi gati pesë muaj në burg pasi u identifikua gabimisht nga një sistem i inteligjencës artificiale si e dyshuar për mashtrim bankar në një shtet tjetër
Angela Lipps u arrestua në korrik të vitit 2025 në shtëpinë e saj nga autoritetet amerikane dhe u dërgua në burg si e kërkuar nga drejtësia në North Dakota, ndonëse ajo deklaron se nuk kishte qenë kurrë në atë shtet.
“Nuk kam qenë kurrë në North Dakota dhe nuk njoh askënd atje. Ishte shumë e frikshme”, u shpreh ajo për mediat amerikane.
Sipas raportimeve, policia në Fargo përdori një program të njohjes së fytyrës për të identifikuar një person të dyshuar në disa raste mashtrimi bankar. Sistemi e identifikoi gabimisht Lipps si të dyshuarën, ndërsa një hetues e përforcoi këtë dyshim duke krahasuar edhe profilin e saj në rrjetet sociale dhe patentën e drejtimit.
Ajo u mbajt në burg për disa muaj pa të drejtë lirimi me kusht dhe nuk pati mundësi të mbrohej deri në momentin kur u transferua në North Dakota.
E vërteta doli në pah vetëm pasi avokati i saj paraqiti të dhënat bankare, të cilat provonin se Lipps ndodhej në Tennessee në të njëjtën kohë kur po kryheshin krimet, rreth mijëra kilometra larg vendit të ngjarjes.
Pas kësaj, akuzat ndaj saj u hoqën dhe ajo u lirua nga burgu. Megjithatë, Lipps deklaroi se nuk mori asnjë mbështetje financiare për t’u kthyer në shtëpi dhe iu desh të mbështetej te ndihma e avokatëve.
“Jam thjesht e lumtur që mbaroi. Nuk do të kthehem më kurrë në North Dakota”, tha ajo.
Ndërkohë, policia ka deklaruar se hetimet vijojnë dhe se lëshimi i urdhër-arrestit ishte bërë mbi bazën e provave të mjaftueshme në atë kohë, duke lënë të hapur mundësinë që çështja të rihapet nëse dalin prova të reja./et
