Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, dhe udhëheqësja e opozitës, Kemi Badenoch, u përplasën të mërkurën (18 mars) gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve në Parlament (PMQs) për emërimin e ish-ambasadorit amerikan, Peter Mandelson.
Badenoch akuzoi Starmer se po shmangte pyetjen nëse kishte biseduar me Mandelson për lidhjen e tij me Jeffrey Epstein, duke thënë se kryeministri po përpiqej të “fliste për çdo gjë tjetër”.
Starmer u përgjigj se Mandelson ishte pyetur dhe kishte dhënë përgjigje të pasakta, ndërsa procesi i emërimit po vlerësohej nga një këshilltar i pavarur mbi standardet ministeriale. Ai shtoi se dokumente të mëtejshme do të publikohen më vonë, të cilat sipas ekipit të tij do të tregojnë se Mandelson kishte gënjyer për marrëdhënien me Epstein para emërimit në dhjetor 2024.
Starmer e shkarkoi Mandelson nga posti i konsideruar më prestigjioz në shërbimin diplomatik britanik në shtator, pasi u zbulua thellësia e miqësisë së tij me Epstein.
Gjatë seancës, kryeministri gjithashtu theksoi masat që po merr qeveria për mbrojtjen e qytetarëve në Lindjen e Mesme, duke mos u tërhequr në një luftë të gjerë, dhe ndërhyrjet për të mbështetur familjet për shpenzimet e ngrohjes. Ai foli edhe për shpërthimin e meningjitit dhe ftoi qytetarët që kishin qenë në Club Chemistry më 5, 6 dhe 7 mars të paraqiteshin për antibiotikë dhe vaksinim të targetuar.
Seanca përfundoi me tensione të dukshme mes dy liderëve, duke reflektuar sfidat politike dhe etikën në emërimet diplomatike britanike./mxh
