Kina u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit që të ndalin operacionet ushtarake dhe të rikthehen në tryezën e negociatave.
Reagimi vjen në një kohë kur tensionet kanë ndikuar edhe në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, paralajmëroi se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës mund të ketë pasoja të rënda për rajonin.
“Nëse armiqësitë vazhdojnë të përshkallëzohen dhe situata përkeqësohet më tej, i gjithë rajoni do të zhytet në kaos”, tha ai, duke shtuar se përdorimi i forcës vetëm sa do të krijojë një “rreth vicioz”.
Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj presionit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Iranit për të rihapur rrugën kryesore ujore për transportin ndërkombëtar.
Zyrtari kinez theksoi gjithashtu se konflikti nuk duhej të kishte nisur që në fillim dhe se zgjidhja e vetme mbetet dialogu dhe negociatat diplomatike.
