Last Updated on 23/03/2026 by Leonard
E majta mban qytetet kryesore, ish kryeministri humbet, një 80 vjeçar fiton mandatin e nëntë dhe gjashtë bashkiakë nën 22 vjeç
Nga Mentor HOXHA, Francë

Mbrëmja e së dielës ishte mjaft intensive në Francë. Rreth 1.500 komuna prisnin për të mësuar emrin e personit që do t’i drejtonte ato për gjashtë vitet e ardhshme. Këto zgjedhje u zhvilluan në një atmosferë të ndezur mes grupimeve politike. Mosmarrëveshjet dhe debatet e ashpra mes Partisë Socialiste dhe La France insoumise (LFI) nga njëra anë dhe Republikanëve dhe Tubimit Kombëtar (RN) nga ana tjetër sollën rezultate negative në të majtë dhe në të djathtë. Aleancat mes socialistëve dhe të papërkulurve në raundin e dytë në disa qytete sollën fitore por dhe humbje në kampin e majtë.
Përveç rezultateve, këto zgjedhje komunale sollën edhe surpriza dhe të papritura.
SURPRIZA E PARË: E MAJTA MBAN VENDIN E SAJ NË QYTETET KRYESORE
Rezultatet e raundit të dytë rikonfirmuan një fitore të bllokut të majtë në qytetet kryesore: Paris, Marsejë dhe Lyon. E majta mban vendin e saj në këto qytete ndërsa një “aleancë e krahut të djathtë” merr formë. Ekologjistët humbasin bashkitë që fituan në vitin 2020 përveç Lyonit, ndërkohë LFI fiton disa bashki dhe për herë të parë hyn në Këshillin Bashkiak të Parisit.
Në Paris, kandidati i koalicionit të krahut të majtë, socialisti Emmanuel Grégoire, fitoi me 50.52% të votave, përpara Rachida Datit (41.52%, kandidate e krahut të djathtë dhe qendrës). Ai kryesoi në distriktet qendrore (2, 3, 4, 5, 9 dhe 10), lindore (11, 12, 13 dhe 20), veriore (18 dhe 19) dhe jugore (14) të Parisit. Ish ministrja e kulturës Dati doli e para në perëndim (15, 16 dhe 17) si dhe në të gjitha fortesat e krahut të djathtë (6, 7 dhe 8) dhe në arondismentin e 1-rë.
Në Marsejë, kryetari aktual socialist Benoît Payan fitoi me një diferencë të gjerë (53%), pavarësisht, disa transferimeve të votave nga Republikanët te Tubimi Kombëtar.
Në Lyon triumfoi kryebashkiaku në detyrë nga Partia e Gjelbër, Grégory Doucet, i cili bëri aleancë me kandidaten e LFI-së. Ai u rizgjodh me një diferencë prej 2,700 votash përpara kandidatit të krahut të djathtë dhe të qendrës Jean-Michel Aulas.
SURPRIZA E DYTË: RIFITORJA E TË GJELBËRVE NË LYON DHE KONTENSTIMI I REZULTATIT
Fitorja e Grégory Doucet ishte e papritur për lionezët pasi të gjitha sondazhet në raundin e parë nxirrnin fitues biznesmenin dhe ish presidentin e famshëm të Olympique Lyonnais Jean-Michel Aulas. “Në Lyon, Grégory Doucet nuk u konsiderua favorit. Qeverisja mjedisore u kritikua, punimet po bllokonin rrugët. Kur rezultatet e para u njoftuan në televizion, në selinë e krahut të majtë, turma shpërtheu në gëzim, me ndjesinë e rikthimit nga buza e greminës.
Kampi i Aulas refuzoi të pranonte humbjen dhe njoftoi se do të paraqiste një ankesë për shkak të një mospërputhjeje në ngjyrën e fletëvotimeve.
Të Gjelbrit mbajnë Lyonin, por humbasin zonën metropolitane që kaloi djathtas. Lista e udhëhequr nga Véronique Sarselli siguroi një shumicë të rehatshme dhe do të qeverisë këtë entitet. “Situata është e pashembullt. Projektet e mëdha të propozuara nga të Gjelbrit gjatë fushatës mund të kenë vështirësi të materializohen”, shpjegon France 3. Zona Metropolitane e Lyon, e krijuar në vitin 2015, përfshin 58 bashki dhe 1.4 milion banorë. Ajo ka marrë përsipër disa nga përgjegjësitë e departamentit të Rhône (zhvillimi ekonomik, rrugët, shkollat e mesme, shërbimet sociale) dhe ka një buxhet vjetor prej gati 4 miliardë eurosh (krahasuar me më pak se 1.2 miliardë për qytetin e Lyon).
SURPRIZA E TRETË: ISH KRYEMINISTRI HUMB POSTIN
Surpriza e tretë është humbja e ish kryeministrit François Bayrou, një humbje zgjedhore që mund të shënojë fundin e karrierës së tij politike. Ish-kryeministri dhe kandidati i MoDem nuk do t’i mbajë më çelësat e bashkisë së Pau-së. Në raundin e dytë ai përfundoi i dyti me 41.14% të votave përballë kandidatit të krahut të majtë Jérôme Marbot (duke përjashtuar La France Insoumise), i cili u bë kryetar bashkie me 42.45% të votave. “Duhet t’i besosh demokracisë kur fiton dhe t’i besosh asaj kur humbet, me vetëm 344 vota”, reagoi François Bayrou. Ish-kryeministri raportoi se i kishte dërguar një mesazh urimi rivalit të tij socialist. Kjo humbje lokale vjen gjashtë muaj pas rënies së tij nga pushteti pas një vote besimi të humbur në Asamblenë Kombëtare. Në këtë qytet me 80,000 banorë, i cili kontrollohej nga Partia Socialiste (PS) nga viti 1971 deri në vitin 2014, një tjetër rezultat kyç nga zgjedhjet është rritja e Tubimit Kombëtar në 16% në raundin e parë.
SURPRIZA E KATËRT: FITORJA E NËNTË E SOCIALISTIT 80-VJEÇAR, 49 VJET KRYETAR BASHKIE
Supriza e katërt është fitorja e mandatit të nëntë nga socialisti 80 vjeçar Laurent Cathala, i cili shërben pa ndërprerje për gati 49 vjet si kryetar bashkie në Créteil. Me 50.65% të votave të hedhura në 10 nga 50 qendra votimi, ai doli i pari në raundin e dytë dhe mori mandatin e nëntë, një arritje unike në rajonin Île-de-France. Ai e mban këtë post që nga marsi i viti 1977. Emmanuel Macron nuk kishte lindur ende kur Cathala u zgjodh për herë të parë kryetar i Créteil (Val-de-Marne) më 14 mars 1977 nën presidencën e Valéry Giscard d’Estaing. I lindur në një familje vreshtarësh në rajonin Aude, Laurent Cathala, burri me nofkën “Perandori” i Créteil iu bashkua Partisë Socialiste kur ishte vetëm 17 vjeç dhe i qëndroi besnik gjatë gjithë jetës së tij. Më 14 mars 1977, u zgjodh kryetar bashkie duke mposhtur Gjeneralin Billotte me 57% të votave në raundin e dytë. Më pas u rreshtua me fraksionin e François Mitterrand në Kongresin e Nantes në qershor 1977 përpara se të zgjidhej në Asamblenë Kombëtare të Francës në vitin 1981, një vend që e mbajti deri në vitin 1991.
SURPRIZA E PESTË: GJASHTË KRYETARË BASHKIE NËN 22 VJEÇ
Këto zgjedhje sollën në krye të bashkisë gjashtë të rinj nën moshën 22 vjeç: Tom Paulus, Charlotte Perefarres, Yann Traiteur dhe Rayan Ould. Disa janë ende studentë, por kjo nuk i pengoi ata të zgjidheshin. Më i riu është vetëm 19 vjeç.
Yann Traiteur, 19 vjeç është aktualisht kryetari më i ri i bashkisë në Francë. Tani është në krye të Nomexy, një qytet me 2,000 banorë në departamentin Vosges (88). U zgjodh me vetëm pesë vota më shumë se kundërshtari i tij. Babai i tij është roje sigurie dhe nëna e tij punon në një fabrikë. Në zgjedhjet zgjedhjet presidenciale 2017 ishte 11 vjeç dhe u angazhua politikisht, u identifikua me idetë e Marine Le Pen. Në vitin 2022, në moshën 16 vjeç bashkohet me Tubimin Kombëtar dhe bën fushatë për zgjedhjet evropiane dhe zgjedhjet legjislative 2024. Yann është student i vitit të dytë të shkencave politike në Universitetin e Alsasës së Sipërme në Mulhouse. Beteja e tij e parë do të jetë shumë lokale, pasi ai dëshiron të zgjasë orët e ndriçimit publik.
Charlotte Perefarres u zgjodh kryebashkiake në moshën 21 vjeç, duke fituar me 85.89% të votave në Saint-Béat-Lez në departamentin Haute-Garonne (31). Duke kandiduar si e pavarur, bëri fushatë të ngushtë me 400 banorët e fshatit. E diplomuar me një diplomë të dyfishtë në drejtësi dhe menaxhim, ajo aktualisht po ndjek një diplomë master në të drejtën publike, me specializim në qeverisjen vendore, në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Toulouse Capitole. “Po e mbaroj vitin e parë pas disa javësh dhe vitin tjetër do kem vetëm dy ditë mësim në Tuluzë; pjesën tjetër të kohës do të jem në bashkinë e Saint-Béat-Lez, duke punuar për tezën time përfundimtare”, thotë ajo. “Veprimet e mia të para në këtë drejtim do të jenë organizimi i vakteve të komunitetit dhe tregjeve të natës pa harruar çështjet e sigurisë që lidhen me përmbytjet dhe rrëzimet e gurëve, të cilat janë në qendër të debateve në këtë pjesë të Francës. Charlotte dëshiron të ndërtojë ura midis brezave.
Tom Paulus, 21 vjeç, fitoi bashkinë e Niederschaeffolsheim (Bas-Rhin) që në raundin e parë me 54.6% të votave. Ai bëri fushatë për ndriçimin e rrugëve. Kandidoi për këtë post pas një mosmarrëveshjeje me kryetarin e bashkisë në largim. Në një përpjekje për të kursyer para, ish-kryetarja e bashkisë së këtij qyteti, Brigitte Steinmetz, kishte vendosur të fikte dritat e rrugës. “Ishte e rrezikshme dhe natën, gratë nuk ndiheshin të sigurta të ktheheshin vonë në shtëpi”, thotë ai. Një ditë, kur kriminelët përfituan nga errësira për të vjedhur një shtëpi, Tom ndërmori veprime. I riu nisi një peticion dhe mblodhi 300 nënshkrime për të rikthyer dritat. Por kryetari i bashkisë mbeti i shurdhër ndaj lutjes së tij. “Kështu që vendosa të kandidoja për të sjellë vizionin tim “. Është diplomuar në kontabilitet. Babai i tij ka qenë në këshillin bashkiak, kurse gjyshi kryetar bashkie.
Clément Tarpin-Lyonnet, 21 vjeç u zgjodh kryetar i bashkisë së Château-Gaillard (Ain) me një diferencë të ngushtë, me 520 vota kundër 500 për kryetarin aktual. I përfshirë në politikë që nga mosha 15 vjeç. Au tërheq nga idetë e Emmanuel Macron që në vitin 2017. Në 2019 kur ishte 15 vjeç iu bashkua partisë En Marche! Në vitet në vijim mori përgjegjësi brenda organizatës. Ai u bë anëtar i këshillit kombëtar të Rilindjes në 2024 dhe po atë vit kandidoi për në deputet në departamentin e Ain, por nuk fitoi. Ky student i drejtësisë publike në Universitetin Assas dëshiron të ndërtojë një qendër të re shëndetësore dhe të krijojë një hapësirë komunitare në qytetin e tij. Vitin tjetër, do të duhet të balancojë detyrat e tij si kryetar bashkie me diplomën e tij Master në kërkim në Universitetin Assas. Ai planifikon ta ndajë javën e tij në dy pjesë: nga e mërkura deri të premten në Paris dhe pjesën tjetër në Château-Gaillard. Një marrëveshje që nuk e shqetëson shumë. “Nuk do të kem asnjë mësimdhënie në fillim të javës”, shpjegon ai, “dhe pastaj mund të punoj edhe nga distanca për komunën time.”
Mathis Chantelose, 21 vjeç, u zgjodh kryetar i bashkisë së Sapogne-et-Feuchères (Ardennes) me një shumicë dërrmuese. Më shumë se dy të tretat (65.72%) e banorëve të këtij fshati me 500 banorë votuan për “Një Fshat që na bashkon”, listën e tij në zgjedhjet komunale. Studenti i menaxhimit në Charleville-Mézières (Ardennes) është dukshëm presidenti i klubit lokal të futbollit. Ai drejton gjithashtu shoqatën “Jeunesse Sapognarde” me të cilën organizon shumë aktivitete për të rinj, fëmijë dhe të moshuar për të gjithë banorët e qytetit. Gjatë fushatës, disa banorë ishin të shqetësuar për moshën e re të tij, por ai i qetësoi ata duke u thënë: “Nuk kandidoj vetëm; kam një ekip me këshilltarë të gjitha sferat e jetës dhe fushat: kontabilist, çatixhi, elektricist” etj.
Rayan Ould, 22 vjeç kandidoi si i pavarur dhe u zgjodh që në raundin e parë me 59.13% të votave në qytetin Flesselles, me popullsi 1,900 banorë. Ai aktualisht po përfundon studimet e tij bachelor në të drejtën publike në Universitetin e Pikardisë Jules Verne në Amiens. I apasionuar pas politikës që nga adoleshenca, ai ka përfunduar disa stazhe në këtë fushë. Ka kaluar një muaj në Asamblenë Kombëtare dhe një tjetër në bashkinë e Le Havre. Gjithashtu ai është një oficer rezervë në Xhandarmërinë Kombëtare dhe një sipërmarrës i vetëpunësuar në industrinë farmaceutike. Duke mos pasur kohë për të përballuar të gjitha angazhimet e tij, kryetari i sapozgjedhur i Flesselles do t’i pezullojë studimet e tij për një kohë të pacaktuar. Ai dëshiron të rigjallërojë fshatin, të riorganizoj një festë lagjeje dhe të krijoj ngjarje që bashkojnë të rinj dhe të moshuar. Imediate për të mbetet adresimi i çështjeve themelore, siç është rinovimi i ndërtesave joefikase nga ana e energjisë.
TRE PERSONA TË VDEKUR NË QENDRAT E VOTIMIT
Krahas këtyre surprizave, raundi i dytë i zgjedhjeve komunale 2026 u shënua nga tre vdekje në qendrat e votimit duke sjellë dhimbje dhe pikëllim të madh tek francezët.
Në Saint-Étienne (Loire), një punonjës i qendrave të votimit dhe bashkëkandidat i kandidatit të Rally National, Corentin Jousserand, vdiq nga arresti kardiak gjatë ditës së zgjedhjeve. Disa orë më parë, në Annecy (Haute-Savoie) një burrë 81-vjeçar vdiq nga një atak në zemër menjëherë pasi hodhi votën e tij në një qendër votimi të vendosur në palestrën Glaisins në Annecy, Haute-Savoie.
Në Carcassonne (Aude), një grua 82-vjeçare u rrëzua sapo hyri në qendrën e votimit. Kur po e përgatitnin në ambulancë ajo vdiq. Këto vdekje çuan në ndërprerje të përkohshme të votimit. Qendrat u mbyllën për më shumë se një orë për t’u rihapur rreth orës 10:40 të mëngjesit.
