Ajo që është një betejë shumë private – pranimi i pamjes së vet – po shndërrohet në një fushë gare dhe talljeje.
Jason Okundaye*
Ndjeva diçka të ngjashme me tronditjen kur lexova se aktori Barry Keoghan ndonjëherë “nuk dëshiron të dalë jashtë” për shkak të përmasave të abuzimit online për pamjen e tij. Nuk është vetëm egërsia e sulmeve, por edhe sa e vështirë duhet të ketë qenë për të ta artikulonte këtë, si dhe ajo që nuk u tha – cilat pjesë të fytyrës së tij duhet të ketë filluar tani t’i analizojë dhe t’i vëzhgojë me obsesion.
Si burrë, shpesh është e vështirë të thuash me zë të lartë se je bërë të ndihesh i pasigurt për veten, apo se ka gjëra në pamjen tënde fizike që nuk të pëlqejnë. Vulnerabiliteti i Keoghan si një burrë i rritur është goditës, por kam menduar edhe sa më e vështirë është ta shprehësh këtë si adoleshent apo djalë i ri. Që në moshë të vogël isha i njohur me gjuhën e pakënaqësisë ndaj trupit, por këto mendime i mbaja për vete: që nuk më pëlqente rënia e flokëve, shpatullat e ngushta, balli i madh apo ekzema në dorën time të djathtë që shpesh sillte pyetje si: “A ke qenë në zjarr?” Nuk më pëlqente që nuk isha aq i gjatë sa vëllezërit e mi, apo që zëri im nuk u trash në një ton të thellë mashkullor, por ruajti një lloj kërcitjeje.
Si i rritur, ende kaloj shumë kohë duke menduar për pamjen time, por kam përfituar nga diçka e thjeshtë: hapësira dhe koha për t’u përballur me vështirësinë emocionale që sjell mospëlqimi i disa pjesëve të vetes, dhe për ta pranuar atë. Ka një ese të romancieres Megan Nolan në New York Times, tek e cila rikthehem shpesh, ku ajo reflekton mbi obsesionin e saj adoleshent për t’u bërë e bukur: “Tani mendoj se e idolizova bukurinë aq shumë sepse shpesh ndihesha e turpëruar si adoleshente dhe bukuria më dukej e kundërta e turpit.”
Kjo qartësi mbi vlerën reale të pamjes, dhe fakti që vitet e adoleshencës mund të ndihen si një ritual i pafund turpi dhe sikleti (për mua sigurisht që ishin), është një kuptim që vjen vetëm me pjekurinë dhe rrugën drejt pranimit. Se ka kufij mbi atë që mund të jesh, si do të dukesh dhe çfarë do të pëlqejnë të tjerët tek ti. Se ka gjëra që mund të bësh për t’u ndjerë mirë me veten, për të ndërtuar një identitet apo stil që nxjerr në pah më të mirën tënde.
Por ka një zhvillim problematik që, sipas meje, do ta dëmtojë edhe më tej këtë proces emocional për djemtë e rinj që mezi kanë hapësirë për të artikuluar dismorfinë trupore: rritja e “looksmaxxing”. I promovuar tek djemtë përmes influencerëve si Clavicular, ai e paraqet “përmirësimin fizik” si një problem matematikor që zgjidhet me mjete: matje, raporte, shiringa, madje edhe çekiçë për të dëmtuar kockat.
Nuk kanë munguar shkrimet për Clavicular-in 20-vjeçar, me emrin e vërtetë Braden Peters, që përpiqen ta shpjegojnë për ata që mbeten të habitur apo të tronditur nga metodat e tij. Një influencer pranë “manosphere”, ai shet ekstremitetin: pretendon se ka injektuar aq shumë testosteron sa është bërë infertil. E gjithë kjo për ta vendosur veten në rrugën e “ngjitjes” që ai e quan “ascension”. Po destinacioni? Ai mbetet i paqartë – një transformim i fundit i pamjes – por kur bukuria trajtohet në këtë mënyrë, fundi bëhet i paarritshëm. Gjithmonë do të ketë dikush tjetër që do të të “frame-mog”, në një garë mes burrash për muskuj dhe simetri fytyre.
“Looksmaxxing” e ka kthyer pamjen në një arenë thuajse olimpike të konkurrencës mashkullore. Kritikët thonë se kjo zbulon një dimension homoerotik, pasi gjithë kjo përpjekje për bukuri ka pak lidhje me tërheqjen e grave.
Por mendoj se është më e thellë se kaq: lidhet me mënyrën sa e ashpër mund të jetë adoleshenca për djemtë, kur secili del me rezultate të ndryshme. Disa fitojnë gjatësi, zë të trashë, mjekër; të tjerë përballen me akne, probleme me peshën apo dhëmbë të shtrembër. Nga përvoja ime në një shkollë për djem, ky presion shpesh i shtyn ata të kritikojnë njëri-tjetrin, si mënyrë për të fshehur pasiguritë e tyre.
Kjo ndjeshmëri fshihet pas absurditetit të “looksmaxxing”. Është e vërtetë që standardet e bukurisë janë më të ashpra për gratë, por rrallë flitet për këtë përvojë tek djemtë. Kjo mungesë njohjeje është pjesë e tërheqjes së figurave si Clavicular. Një betejë private – mospëlqimi i pamjes – shndërrohet në një spektakël gare dhe talljeje. Rrjetet sociale e përkeqësojnë situatën: jo vetëm abuzimi ndaj Keoghan, por edhe talljet për burrat e shkurtër, vijën e flokëve, mjekrën e dobët apo trupin.
Problemi kryesor sot është se teknologjia ka ecur shumë më shpejt se zhvillimi emocional. Dikur, nëse ndiheshe i shëmtuar në moshën 14 vjeç, nuk kishe shumë çfarë të bëje përveçse ta përballoje ndjesinë. Sot, algoritmet u mësojnë të rinjve si ta “zgjidhin” pamjen e tyre, duke u ofruar një arsenal metodash për të arritur një ideal.
Sa djem po marrin realisht çekiçin në dorë? Nuk dihet. Por kjo nuk është çështja kryesore. Ekstremi i “looksmaxxing” është një pasqyrë e ankthit të djemve të rinj që për shumë kohë ka mbetur pa zë. Dhe kjo na ngarkon të gjithëve me një detyrë: të flasim me djemtë dhe burrat e rinj për pamjen e tyre dhe për mënyrën si ndihen për veten.
*Jason Okundaye është redaktor i opinionit në The Guardian/Përgatiti për botim: L.Veizi
