Last Updated on 24/03/2026 by EL
Një raport ekskluziv i gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth” po trondit diplomacinë botërore. Sipas burimeve, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka njoftuar fshehurazi të dërguarin e SHBA-së, Steve Witkoff, se Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka dhënë “dritën jeshile” për bisedime dhe një marrëveshje të mundshme me Uashingtonin.
Mojtaba Khamenei, i cili u emërua në krye të Republikës Islamike pas vrasjes së babait të tij, Ali Khamenei, në sulmin e madh SHBA-Izrael muajin e kaluar, duket se ka ndryshuar strategji. Sipas raportit, ai ka rënë dakord të negociojë për t’i dhënë fund luftës shpejt, por duke kërkuar që kjo të bëhet sipas kushteve të Iranit.
Nga ana tjetër, Presidenti Donald Trump ka bërë një lëvizje të papritur të hënën. Ai ka pezulluar kërcënimin e tij për të bombarduar rrjetin elektrik të Iranit, duke cituar si arsye “bisedimet produktive” që po zhvillohen me zyrtarët iranianë.
Ndonëse Teherani zyrtar vazhdon t’i mohojë këto kontakte, Trump konfirmoi se bisedimet po ecin.
Interesant është fakti se Trump u shpreh se nuk e di saktësisht gjendjen shëndetësore apo vendndodhjen e Udhëheqësit Suprem, por theksoi se “nuk dëshiron vrasjen e tij”./ET
