Last Updated on 26/03/2026 by Anisa
Dosja e SPAK ndaj Init të Vlorës nuk rrëfen vetëm një seri ngjarjesh kriminale, por mënyrën sesi ndërtohet dhe konsolidohet një figurë brenda botës së krimit. Inez Hajrulla konsiderohet personazhi kyç i grupit që ka si bazë kompleksin ‘Oslo’ në zonën e Lungomares në Vlorë.
Ajo zbërthen mekanizmin se si ndërtohen, trashëgohen dhe përplasen strukturat e krimit të organizuar në Shqipëri.
Në qendër të kësaj historie qëndron një zinxhir figurash dhe konfliktesh që shtrihen në kohë, nga dominimi i Edison Harizajt deri te ngjitja në skenë e Inez Hajrullës, një emër që sot konsiderohet kyç në këtë rrjet.
I njohur si “Edison Faqedjeguri”, një nofkë që e mbante që nga fëmijëria për shkak të një shenje në fytyrë, ai nuk ishte thjesht një individ i përfshirë në krim. Ishte një figurë që kishte ndërtuar ndikim.
I dënuar më herët për vrasje, pas daljes nga burgu ai nuk u tërhoq. Përkundrazi, u rikthye më i fortë, duke ndërtuar një rrjet lidhjesh që shtrihej përtej Vlorës, deri në emra të njohur të botës kriminale në vend.
Baza e tij ishte e qartë: zona e “Ujit të Ftohtë”. Kompleksi i njohur si “7 Pallatet Oslo”, aty ku vijon të ketë bazën grupi që ai la pas.
Një territor që nuk ishte thjesht vendbanimi, por pikë kontrolli. Në atë kohë ai konsiderohej “Padrino” i qytetit. Një figurë që nuk kishte nevojë të ekspozohej shpesh për të qenë i pranishëm. Por çdo strukturë, sado e fortë të duket, ka një moment thyerjeje.
Pas kësaj ngjarjeje, hetimet prekën disa emra të njohur, mes tyre edhe persona që sot janë në kërkim për përfshirje në struktura kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge. Por edhe sot, 8 vite pas ngjarjes, mbetet ende pa autor.
Por ajo që ka më shumë rëndësi është ajo që ndodhi më pas, sepse vrasja e një figure të tillë nuk e shkatërroi strukturën; ajo e transformoi. Nuk pati boshllëk, nuk pati shpërbërje, pati vazhdimësi.
Dhe në këtë vazhdimësi, në skenë doli një emër tjetër: Inez Hajrulla. Një nga njerëzit më të afërt të Harizajt. Një figurë që deri atëherë qëndronte më shumë në prapaskenë, por që pas eliminimit të tij, mori një rol tjetër.
Sipas hetimeve, ai nuk trashëgoi vetëm aktivitetin… por edhe konfliktet. Sepse në këtë botë, pushteti nuk kalon i pastër.
Ai vjen gjithmonë i shoqëruar me borxhe, me armiq dhe me llogari të hapura. Dhe pikërisht këtu nis faza tjetër. Hajrulla jo vetëm që konsolidoi pozicionin e tij brenda grupit, por u konsiderua si figura që do të vazhdonte linjën e nisur më parë.
Ai njihej si një nga njerëzit më të afërt të “Il Padrinos”, ku përpara ekzekutimit ka pasur dyshime që mbaronte punët e tij në terren.
“Inez Hajrulla, i cili mori drejtimin pas ekzekutimit të Edison Harizajt, është tentuar të vritet së paku në tre raste; madje në një rast i është vënë edhe bombë brenda makinës, ka humbur njërën këmbë,” u shpreh Alban Qafa, avokat.
Duke u ekspozuar si njeri terreni i ‘Faqedjegurit’, ‘Ini’ u vu në rreth të kuq si objektiv i kundërshtarëve. Atentati i parë ndaj tij shënohet në nëntor të vitit 2017, një episod që do të tregonte qartë se ai kishte hyrë tashmë në një fazë ku përplasjet nuk zgjidheshin më me paralajmërime.
Në atë kohë, vetëm 24 vjeç, Inez Hajrulla lëvizte me një automjet tip “Jeep” në zonën e njohur si “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë. Teksa ishte në ecje e sipër, u aktivizua një sasi lënde plasëse e vendosur në pjesën e përparme të motorit.
Forca e shpërthimit shkatërroi pjesën ballore të mjetit. Pasojat e atentatit ishin të rënda dhe të përhershme. Si rezultat i plagëve të marra, INI humbi njërën këmbë, e për këtë mori edhe nofkën “Sakati” prej asaj kohe.
Dy vite pas atentatit me eksploziv, emri i Inez Hajrullës rikthehet sërish në qendër të një sulmi të organizuar, këtë herë me armë zjarri, duke konfirmuar se përplasja ndaj tij nuk kishte qenë episodike, por e vazhdueshme.
“Duhet parë në tërësi që nëse këta individë që flasin për atentate apo për ngjarje kriminale të rënda, kanë marrë pjesë apo jo në ngjarje të tjera të pazbardhura në Shqipëri, apo të pazbuluara,” u shpreh Redi Ramaj, avokat.
“Duhet parë në tërësi që nëse këta individë që flasin për atentate apo për ngjarje kriminale të rënda, kanë marrë pjesë apo jo në ngjarje të tjera të pazbardhura në Shqipëri, apo të pazbuluara,” u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie.
Më 10 maj të vitit 2019, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, Inez Hajrulla ndodhej i ulur në një lokal në Lungomare, pikërisht në kompleksin ‘OSLO’, kur në drejtim të tij u qëllua nga një automjet në lëvizje.
Një skemë tipike atentati, ku autorët godasin në lëvizje dhe largohen menjëherë nga vendngjarja, duke minimizuar rrezikun e identifikimit.
Edhe këtë herë, objektivi arriti të shpëtojë…
Tentativa e tretë për eliminimin e Inez Hajrullës shfaqet në vitin 2023, duke konfirmuar se ai vijonte të mbetej një objektiv i drejtpërdrejtë, pavarësisht atentateve të mëparshme ndaj tij.
Në gusht të atij viti, Policia e Vlorës arreston Amarildo Nikollin, i dyshuar se kishte ardhur nga Italia për të kryer një vrasje me pagesë. Ai u kap i armatosur me pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje, një detaj që tregon se atentati ishte në fazë të avancuar.
Fillimisht i hetuar për armëmbajtje pa leje. Por, çështja mori një tjetër drejtim kur dosja iu kalua SPAK, që e trajtoi si “vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Një element kyç në hetim u bë bashkëpunimi i vetë Nikollit.
“Dua të sqaroj se Nardi më tha se personat, objektivat mund t’i gjeja në “Lungomare”, tek “7 pallatet”, tek “Amous Lounge Beach”, “Oslo” dhe tek një bar tek gjykata e rrethit. Pra unë kam shkuar në Vlorë që në muajin qershor 2023. Nardi një javë erdhi duke qëndruar në të njëjtën banesë me mua dhe një ditë vijnë në shtëpi dy persona të cilët Nardi i quante “Biondi” dhe “Fshatari”. Nardi më thotë se Biondi ishte kushëriri i tij ndërsa Fshatari ishte shoku i tij.”
Ai pranon se kishte marrë porosi për të goditur dy persona, duke i identifikuar përmes nofkave: “Sakati” dhe “Qorri”. Ky i fundit ishte pikërisht shtetasi Ervis Matodashaj.
Objekt i vrasjes ishin dy persona të quajtur me nofkën “Sakati” dhe “Qorri”, të dy banues në Vlorë. Më dha një foto të personit me nofkën “Qorri”, e cila ishte një foto e dobët për nga cilësia dhe ishte e marrë nga kamerat e sigurisë së një lokali. Si karakteristikë të “Qorrit” më tha se i kishte sytë si pingpong, ndërsa për “Sakatin” më tha se e kishte njërën këmbë të këputur. Arsyeja që kërkonte të bënte ishte për biznes dhe për hasmëri. Vrasja ndaj këtyre dy shtetasve do të bëhej me pagesë, shumë e cila do të jepej nga një person që banonte në Dubai dhe për këtë Leonardi më jepte mua 250.000 euro për secilin.
Këto deklarime tregojnë jo vetëm qartësinë e objektivave, por edhe nivelin e organizimit të atentatit, ku çdo detaj, nga identifikimi i shënjestrës deri te mënyra e veprimit, ishte i paracaktuar, duke konfirmuar se bëhej fjalë për një tentativë konkrete dhe të avancuar për eliminim.
“Vetëm një person i cili ka qenë pjesë e grupit kriminal dhe që është në dijeni të episodeve kriminale që janë zhvilluar, që ka marrë pjesë në këto episode kriminale në një rol të caktuar, ndoshta edhe episodik, mund të shpjegojë fare qartë, ose mund të shpjegojë të gjithë kontekstin”, u shpreh ish-prokurori, Gentian Ternova.
“Mendoj që kohët e fundit, me ndryshimet e fundit të bëra me ligjin nr. 8 të vitit 2026, SPAK-u dhe organet e ndjekjes penale do kenë vështirësi përsa i përket provimit të këtyre ngjarjeve me bashkëpunëtor drejtësie. Se siç jemi në dijeni, shumë grupe kriminale, veprimtaria e tyre është zbuluar nga bashkëpunëtorët e drejtësisë. Ka qenë një rregull procedurial, neni 37/a, sesi lidhet marrëveshja, se një bashkëpunëtor drejtësie që do tregojë do ketë një përfitim, sepse ai do spiunojë, do tregojë shokët. Dhe në bazë të nenit 28, paragrafi 7, ai përfitonte ulje dënimi ose përjashtim nga dënimi. Ky nen është shfuqizuar, duke i lënë në vështirësi organet”, u shpreh ish-prokurori, Ervin Karanxha.
Për këtë çështje, gjykata dënoi Leonard Luzin me 7 vite e 4 muaj burg, bashkëpunëtorin e tij Muharem Koroveshi me 6 vite e 8 muaj, ndërsa Amarildo Nikolli, për shkak të statusit të bashkëpunëtorit, u dënua me 2 vite e 9 muaj heqje lirie.
Paralelisht, hetimet nxjerrin në pah edhe motivet e mundshme.
Nga njëra anë, kontrolli i lojërave të fatit në Vlorë, ku Hajrulla dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se ishin përfshirë. Nga ana tjetër, konflikte të vjetra dhe elementë hakmarrjeje, të lidhura me ngjarje të mëhershme kriminale.
Sipas informacioneve të strukturave ligjzbatuese, grupi i “7 pallateve”, në aleancë me vëllezërit Llanaj, ka qenë në përplasje të vazhdueshme me grupimin e vëllezërve Sinomataj, të lidhur me Armando Sulejmanin, i njohur si “Çipuri”, të cilët në ’97-ën ishin pjesë e bandës së “Gaxhait”.
“Kuptohet që kur dalin ngjarje të tjera kriminale, vrasje kryesisht, lidhen personazhet me ngjarjet e ’97-ës në një farë mënyre dhe kjo është tregues jo vetëm që është ky elementi i dytë që përmendëm, që lidhet me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe interesat e mëdha të parave dhe investimeve që bëhen në Shqipëri, që është një element, por edhe hakmarrjet e vjetra”, u shpreh Redi Ramaj, avokat.
Ky konflikt ka prodhuar atentate të ndërsjella ndër vite, por kulmoi më 17 shkurt 2019.
“Njëri nga grupi kundërshtar me pseudonimin “Çipuri”, tek rruga mbi tunel, ajo që vjen nga pjesa mbi tunel, është goditur me tre armë zjarri, ka gjetur vdekjen kunati i tij dhe një person tjetër, ndërsa vetë ka mbetur i plagosur”, u shpreh avokati, Alban Qafa.
Rreth orës 12:30, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, u dëgjuan të shtëna armësh; dy persona humbën jetën ndërsa Armando Sulejmani mbeti i plagosur në dorë dhe këmbë.
“Çipuri” kishte hapur zjarr ndaj autorëve ndërsa zbriste nga makina, duke u munduar të mbrohej. Në vendngjarje u sekuestruan 78 gëzhoja dhe një pistoletë me mulli, e cila rezultoi e përdorur nga vetë i plagosuri Sulejmani.
Ngjarjet tregonin një cikël të gjatë hakmarrjesh dhe rivalitetesh mes klaneve të Vlorës, ku secili incident ushqente tensionin për atentatet e radhës.
Në qershor të vitit 2020, sulmet ndaj familjes së Armando Sulejmanit u shtrinë edhe tek motra e tij, Etleva Elmazi. Në makinën e saj “BMW X3” u gjet një pako me tritol, që policia arriti ta neutralizonte.
Sulmi dyshohet të ketë qenë hakmarrje ndaj vëllait të saj dhe lidhet me historikun kriminal të familjes.
Etleva është edhe nëna e Daut Elmazit, i cili u arrestua si bashkëpunëtor në atentatin kundër Inez Hajrullës më 10 maj 2019….
“Përsa i përket grupit që është goditur së fundmi, është një grup që ka pasur kundërshtarë të fortë, brenda qytetit të Vlorës. Ka qenë një grup që është goditur edhe vetë drejtuesi” u shpreh Alban Qafa, avokat.
Përplasjet mes këtyre grupeve treguan se hakmarrja në Vlorë nuk njeh kufij. Një paralajmërim i dhënë me shpërthimin ndaj Bernard Sinomatajt më 3 janar 2022, tregoi se çdo lëvizje e familjes Sinomataj monitorohej me kujdes.
Pasditen e 3 janarit, një shpërthim tritoli tronditi lagjen pranë Poliklinikës. Lënda plasëse ishte vendosur poshtë makinës së Bernard Sinomatajt, vëllait të Sokol Sinomatajt, që atë kohë ndodhej jashtë vendit.
Automjeti, me targa AA 151 MJ, në dukje i një gruaje, në fakt përdorej nga Bernardi. Ngjarja ishte mesazh i qartë për familjen Sinomataj: askush nuk u dëmua, por ai paralajmërim do të kthehej më vonë në një vrasje të ftohtë dhe të planifikuar.
“Problematikat e vrasjeve që kanë ndodhur në 97-tën, rikthen në një farë forme, ose pozicionohen këto grupe kriminale që të mbajnë një anë të caktuar për shkak të këtyre ngjarjeve dhe në çdo rast të paktën në Vlorë, ku dihet që plagët e vrasjeve kanë qenë shumë të mëdha” u shpreh Redi Ramaj, avokat.
Dy vite më pas, më 7 janar 2024, Gëzim Sinomataj, 22-vjeç, djali i vetëm i Sokol Sinomatajt, i njohur si “Buzëderri”, do të ekzekutohej në ballkonin e banesës me snajper.
Një makinë “BMW” qëndroi e parkuar pranë, duke vëzhguar drejt ballkonit të apartamentit. Kur Gëzim doli për të pirë cigare, atentatori profesionist shkeli këmbëzën.
Një plumb 7-milimetër goditi në kokë të riun që humbi jetën në vend. Ky atentat ishte dëshmi e profesionalizmit të lartë kriminal dhe hakmarrjes së ftohtë.
Paralajmërimet dhe atentatet vazhdonin, duke prekur tani familjarët e kundërshtarëve: më 8 dhjetor 2024, një sasi tritoli shpërtheu në lokal në pronësi të familjes Birçaj, që kishte humbur në atentat djalin, Bledarin, ngjarje që zbërthyem pak më sipër.
“Sigurisht këtu është e mpleksur jo vetëm veprimtaria kriminale, në trafikun e drogës apo lëndëve narkotike apo veprimtarive kriminale fitimprurëse, por është e mpleksur edhe me historitë e hakmarrjes apo gjakmarrjes brenda vet grupeve kriminale me njëra-tjetrën.” u shpreh Gentian Ternova, ish-prokuror.
Autori, i vendosjes së tritolit, 28-vjeçari Beqir Selamaj, i arrestuar pak ditë më pas, nuk pranoi të tregonte se kush e kishte porositur sulmin.
Pak ditë më vonë, më 18 dhjetor 2024, Kevin Hajrulla u qëllua me breshëri armësh në lagjen “24 Maji” të Vlorës, një atentat që hetuesit e shohin si paralajmërim për Inez Hajrullën, që kishte shpëtuar më parë ndaj dy tentativave ekzekutimi.
Pas atentatit ndaj kushëririt të Inez Hajrullës në Vlorë, kundrapërgjigja nuk vonoi….
Konflikti u transferua në kryeqytet. Një sulm i sofistikuar nga krimi i organizuar, ku objektiv ishte Bernard Sinomataj.
Më 21 dhjetor 2024, një dron hodhi tritol mbi një apartament në rrugën “Sadik Petrela”. Shpërthimi ishte i menjëhershëm dhe i fuqishëm; por fatmirësisht pa të lënduar.
Banesa ishte marrë me qira nga shtetasja E. A., e cila jetonte aty me Bernardin, por kur oficerët mbërritën, të dy nuk ndodheshin aty. Ata u larguan menjëherë pa ofruar bashkëpunim në zbardhjen e krimit.
Pra, një lëvizje që instancat ligjzbatuese e konsiderojnë si mesazh se objektivi i atentatit kërkon të përgjigjet me të njëjtën formë: vetëgjyqësinë…
“Hakmarrjet kanë ekzistuar dhe kanë pasur pasoja të rënda. Ajo që mund të shikojmë nga hakmarrja, fenomeni tjetër që është pas hakmarrjes, është edhe largimi. Shumë nga grupet kriminale, edhe sot pas daljes së informacioneve nga SKY, që u zbërthye, por edhe për shkak të përplasjeve që erdhën më vonë, një pjesë e mirë e grupeve kriminale kanë preferuar ta kryejnë aktivitetin e tyre jashtë Shqipërisë” u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie.
“Konfliktet e sotme janë konflikte që lidhen për shkak të kontrollit të territorit në qytetin e Vlorës, që është një pikë strategjike për trafikun, kryesisht të hashashit që shkonte përtej detit në Itali, dhe për konfliktet që kanë lindur për shkak të transportit apo importit dhe shpërndarjes së kokainës në Rotherham, Anvers dhe Spanjë” u shpreh Alban Qafa, avokat.
Përplasjet brutale mes bandave në Vlorë sollën edhe dy zhdukje që tronditën mbarë opinionin.
Në vitin 2018 u zhdukën Albano Xhaferraj dhe shoku i tij Ervis Troqe, dy figura që do të mbeteshin në hije misterioze, ndërsa lidhja e tyre me përplasjet mes grupeve kriminale ngrihej si një pyetje e pazgjidhur.
Këtij të fundit, Ervis Troqes, në vitin 2021 i ekzekutuan edhe kushëririn, Delon Troqe, një ngjarje për të cilën folëm pak më sipër.
Gazmend Merkaj, pjesëtar i grupit, u vetdorëzua në polici dhe deklaroi përpara bluve se rrëmbimi i Albano Xhaferrajt u krye për llogari të të ndjerit Edison Harizaj./ Inside Story-TCH
