Last Updated on 27/03/2026 by Anisa
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbërritur në Francë ku sot zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve të G7-ës, në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme, veçanërisht konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, si dhe lufta në Ukrainë.
Sipas burimeve diplomatike, Rubio pritet të përballet me presion nga aleatët evropianë dhe Japonia për të luajtur një rol më aktiv në de-përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, ndërsa shqetësimet për ndikimin e konfliktit në ekonominë globale po rriten.
Vendet e tjera të G7-ës – Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania, Italia dhe Japonia – kanë shprehur më herët qëndrime të kujdesshme ndaj përshkallëzimit ushtarak, duke theksuar nevojën për zgjidhje diplomatike dhe shmangie të zgjerimit të konfliktit.
Gjatë udhëtimit drejt Francës, Rubio deklaroi se stabiliteti në rajon dhe veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit është me rëndësi strategjike për ekonominë globale. Ai theksoi se një situatë e tensionuar në këtë nyje detare mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin me energji dhe çmimet ndërkombëtare të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe LNG-së, konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme strategjike në botë. Çdo përshkallëzim i situatës në këtë zonë ka ngritur shqetësime për rritje të çmimeve të energjisë dhe mungesa të mundshme në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ka bërë thirrje për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, duke theksuar nevojën për rikthimin e stabilitetit rajonal dhe normalizimin e situatës në korridoret energjetike globale.
Ministrat e G7-ës kanë deklaruar më herët se janë të gatshëm të ndërmarrin “masat e nevojshme” për të garantuar sigurinë e furnizimit global me energji, nëse situata përkeqësohet më tej.
Në një takim paraprak, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, theksoi nevojën për një qëndrim të unifikuar mes aleatëve perëndimorë dhe SHBA-së për t’i dhënë fund sa më shpejt konfliktit. Ai u shpreh se bisedimet me Rubion do të jenë vendimtare, ndërsa shtoi se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar ndajnë të njëjtin qëndrim për domosdoshmërinë e de-përshkallëzimit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar sërish NATO-n, duke deklaruar se aleatët evropianë nuk kanë bërë mjaftueshëm për të përballuar situatën aktuale të sigurisë globale.
Takimi i G7-ës në Francë pritet të jetë një nga momentet kyçe të koordinimit diplomatik për krizën në Lindjen e Mesme dhe luftën në Ukrainë, në një kohë kur tensionet gjeopolitike dhe pasiguria energjetike po rriten ndjeshëm./A.D
