Shkrimtarja dhe poetja Mimoza Ahmeti është bërë pjesë e spektaklit “Ferma VIP”, i cili ka nisur mbrëmjen e djeshme në televizionin kombëtar Vizion Plus, nën drejtimin e moderatores Arbana Osmani.
Moza, siç e thërrasin të gjithë, e njohur për spontanitetin dhe batutat e saj pikante, ka tërhequr vëmendjen që në natën e parë të formatit, duke sjellë momente që janë bërë menjëherë virale në rrjet.
Në fillim të spektaklit, ajo duhej të zgjidhte një kafshë që do ta shoqëronte përgjatë gjithë rrugëtimit të saj në fermë dhe zgjodhi një lepur. Gjatë momentit kur Arbana i kërkoi të hapte kutitë, Moza u shpreh: “Unë mendova se kishte ndonjë burrë këtu”.
Më pas, gjatë diskutimeve për darkën, kur u bë e ditur se fermerët do të hanin groshë, ajo pyeti drejtuesen e spektaklit nëse mund të thernin patën që ndodhej në fermë.
Por këto nuk ishin të vetmet “perla” të saj gjatë natës së parë. Në një moment tjetër, ndërsa pritej hyrja e konkurrentëve një nga një, shkrimtarja u tërhoq në krevatin e saj, u mbulua dhe deklaroi se do të flinte sepse “ishte ngopur”.
Ky moment shkaktoi të qeshura në studio dhe mes fermerëve, të cilët, së bashku me Arbanën, e lejuan që të pushonte, edhe pse spektakli vijonte ende në natën e tij të parë.
