Last Updated on 29/03/2026 by EL
Zgjedhjet e pjesshme lokale të mbajtura sot në dhjetë qytete të Serbisë, sipas mediave serbe dhe vëzhguesve, janë karakterizuar nga tensione të larta, përplasje fizike dhe një kontroll i fortë i votuesve.
Në zgjedhje marrin pjesë kandidatë nga lëvizja e studentëve, opozita dhe partia që qeverisë vendi. Procesi po monitorohet nga një numër rekord vëzhguesish vendas dhe të huaj. Incidentet e shumta të raportuara gjatë ditës kanë ngritur shqetësime mbi integritetin e procesit.
Në qytetin Kula, situata ka qenë e tensionuar pranë kafeneve ku janë mbledhur aktivistë të Partisë Progresive Serbe (SNS) që është në pushtet. Qytetarët dyshojnë për blerje votash dhe lista paralele në lokale të ndryshme. Gjithashtu, simpatizantë të SNS-së, partisë së Vuçiçit, janë parë duke patrulluar me motorë, shpeshherë me targa të mbuluara.
Qyteti Arandelovac ka qenë gjithashtu një pikë e nxehtë, ku udhëheqësi i lëvizjes “Kreni-Promeni”, raportoi arrestimin e tre vëzhguesve të tyre. Aktivistët studentorë kanë denoncuar zbulimin e një qendre telefonatash të partisë SNS-së të Vuçiç pranë një vendvotimi dhe kanë konfiskuar një “listë votuesish me numra telefoni” në stacionin kryesor të autobusëve. Disa automjete policie me targa jo-lokale janë vërejtur gjithashtu.
Në qytetin Bor, ka ndodhur një përleshje fizike mes disa dhjetëra personave para ambienteve të partisë SNS-së. Një vëzhgues dhe një avokat u sulmuan fizikisht. Gazetari dhe aktivisti Ivan Bjeliç u arrestua më parë dhe më pas u lirua.
Organizata vëzhguese “Crta” ka paralajmëruar për “grumbullime të mëdha të dyshimta” në afërsi të vendvotimeve, si dhe për parregullsi të tilla si fotografimi i fletëve të votimit. Përveç këtyre, posaçërisht është vërejtur një numër i madh makinash me targa jo-lokale, që dyshohet se shërbejnë për transport të organizuar të votuesve.
Partia e Aleksandar Vuçiç në një deklaratë për mediat ka akuzuar aktivistët e listave opozitare se po “shqetësojnë, provokojnë dhe kërcënojnë” qytetarët./et
