Last Updated on 19/11/2026 by EL
Nuk publikojnë foto, nuk ndajnë histori dhe rrallëherë lënë edhe një pëlqim, por janë gjithmonë aty për të parë çfarë ndodh në rrjetet sociale. Këta përdorues njihen si “fantazmat e rrjeteve sociale” dhe, sipas ekspertëve, heshtja e tyre dixhitale mund të ketë disa arsye. Disa kanë frikë nga gjykimi i të tjerëve, të tjerë duan të ruajnë privatësinë, ndërsa disa thjesht nuk ndiejnë nevojën ta bëjnë jetën e tyre publike.
Madje, sipas një studimi të brendshëm të Facebook-ut, rreth 71% e përdoruesve kanë shkruar të paktën një postim të cilin më pas kanë vendosur të mos e publikojnë.
Një nga arsyet kryesore është frika nga kritikat dhe komentet e të tjerëve. Publikimi i një fotografie apo mendimi do të thotë t’ia ekspozosh atë miqve, kolegëve, familjarëve dhe njerëzve që mund të mos i njohësh fare. Të tjerë shqetësohen për privatësinë, pasi një fotografi apo informacion i shpërndarë në internet mund të ruhet, përcillet ose përdoret jashtë kontekstit edhe shumë vite më vonë.
Perfeksionizmi dhe pasiguria gjithashtu luajnë rol: disa njerëz mendojnë se nuk janë mjaftueshëm interesantë apo fotozhenikë për të publikuar diçka. Ka edhe nga ata që thjesht nuk duan të shpenzojnë kohë dhe energji duke mbajtur një prani të vazhdueshme në internet.
Megjithatë, të mos publikosh asgjë mund të jetë edhe një zgjedhje që sjell më shumë liri. Këta njerëz nuk ndihen të detyruar të konkurrojnë për pëlqime, shikime apo vëmendje dhe mund t’i përjetojnë momentet e rëndësishme pa menduar për fotografinë e radhës.
Gjithashtu, fakti që partneri apo një mik nuk publikon fotografi me ju nuk do të thotë domosdoshmërisht mungesë interesi; ndoshta thjesht dëshiron ta mbajë jetën private larg syve të të tjerëve. Në fund, nuk ekziston asnjë detyrim për të ndarë çdo moment në rrjetet sociale dhe vlera e marrëdhënieve nuk matet me numrin e fotografive apo historive të publikuara./ET
