Pas rrëfimit të errët dhe tragjik të John F. Kennedy Jr., një tjetër kapitull i sagës së një prej familjeve më mitike të shekullit XX po merr formë në ekran. Vëmendja zhvendoset tani tek rrënjët — tek figura që ndërtoi dinastinë: patriarku Joseph P. Kennedy Sr..
Në horizont shfaqet seriali i ri i shumëpritur, “American Love Story: Kennedy”, një prodhim i Netflix që synon të depërtojë në thellësitë e një familjeje ku ambicia, pushteti dhe tragjedia janë ndërthurur në mënyrë të pandashme. Perdeja hapet me Michael Fassbender në rolin e Joe Kennedy Sr. — një figurë komplekse, e fortë dhe shpesh kontradiktore, që nga një sipërmarrës i pamëshirshëm u shndërrua në arkitektin e një perandorie politike familjare.
Seriali premton të mos jetë thjesht një rikrijim historik, por një zhytje në jetët intime të Kennedy-ve. Në qendër qëndron marrëdhënia mes Joe dhe bashkëshortes së tij, Rose Kennedy, e interpretuar nga Laura Donnelly — një nënë e fortë që solli në jetë nëntë fëmijë dhe që mbajti bashkë një familje të përçarë nga ambicia dhe presioni.
Figura e djalit të madh, Joseph P. Kennedy Jr., portretizohet si trashëgimtari i paracaktuar i ëndrrës politike, një djalë i artë që humbi jetën tragjikisht gjatë një misioni sekret ajror në Luftën e Dytë Botërore. Në hijen e tij rritet John F. Kennedy — “Jack” — i luajtur nga Joshua Melnick, një figurë që lufton për të dalë nga hija e vëllait dhe për të ndërtuar fatin e tij.
Seriali nuk shmang as dramat më të dhimbshme familjare. Historia e Rosemary Kennedy, vajzës së tretë që iu nënshtrua lobotomisë me kërkesë të babait, sjell një nga momentet më të errëta të dinastisë. Ndërsa Kathleen Kennedy Cavendish — “Kick” — përfaqëson shpirtin rebel dhe evropian të familjes, një jetë që përfundon po aq tragjikisht në një aksident ajror në moshën 28-vjeçare.
Kasti përforcohet nga emra si Ben Miles, Cole Doman dhe Imogen Poots, ndërsa drejtimi artistik i besohet Sam Shaw dhe regjisorit fitues të Oscarit Thomas Vinterberg. Narrativa, e ndërtuar në stilin e The Crown, ndërthur jetën private me historinë globale, duke sjellë në ekran figura si Winston Churchill, Franklin D. Roosevelt, J. Edgar Hoover, Neville Chamberlain dhe Charles Lindbergh — të gjithë pjesë e një bote në prag ndryshimesh dramatike.
I bazuar në librin JFK: Coming of Age in the American Century, 1917–1956 nga Fredrik Logevall, seriali synon të rrëfejë jo vetëm historinë e një familjeje, por mënyrën se si ajo ndikoi në ndërtimin e Amerikës moderne. Sezoni i parë ndjek ngritjen e papritur të Joe dhe Rose Kennedy, duke filluar nga vitet 1930, dhe tensionet mes fëmijëve të tyre — veçanërisht rivalitetin e heshtur mes Joe Jr. dhe Jack.
Ndërkohë, kapitulli i mëparshëm i sagës, “American Love Story”, që rrëfente historinë e dashurisë mes John F. Kennedy Jr. dhe Carolyn Bessette, ka përfunduar me fundin tragjik në ujërat e Martha’s Vineyard. Seriali i Ryan Murphy u bë fenomen, jo vetëm për historinë, por edhe për stilin minimalist të Carolyn, që riktheu estetikën e viteve ’90 në modë.
Por suksesi erdhi i shoqëruar me polemika. Jack Schlossberg, nipi i vetëm mashkull i JFK-së, reagoi ashpër ndaj mënyrës si u trajtua historia familjare. Edhe aktorja Daryl Hannah denoncoi publikisht “shtrembërimet” në serial, duke përfshirë skena të fabrikuara dhe krahasime të papranueshme.
Në këtë sfond, seriali i ri për Joe Kennedy Sr. nuk është thjesht një tjetër dramë historike. Ai është një rikthim tek burimi i mitit — aty ku filloi gjithçka: një familje që synonte pushtetin, dhe një trashëgimi që do të paguhej me një çmim të lartë.
Përgatiti për botim: L.Veizi
