Një dron ushtarak ukrainas, i pajisur me një kokë lufte të pashpërthyer, është rrëzuar në territorin e Finlandës, duke shënuar për herë të parë që konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë prek drejtpërdrejt territorin finlandez.
Sipas policisë finlandeze, mjeti ajror pa pilot është gjetur në veri të qytetit Kouvola dhe, pas një vlerësimi paraprak, rezultoi se mbante një ngarkesë shpërthyese që nuk ishte aktivizuar. Autoritetet kryen një shpërthim të kontrolluar për të neutralizuar rrezikun, ndërsa nuk raportohen të lënduar apo dëme materiale.
Droni është identifikuar si model ukrainas AN196, me hapje krahësh rreth 6.7 metra. Ndërkohë, mbetje nga një dron i dytë, gjithashtu i dyshuar si ukrainas, janë zbuluar në zonën e Luumaki, ku hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse ai ka shpërthyer në momentin e rrëzimit.
Autoritetet ukrainase kanë kërkuar falje për incidentin, duke theksuar se dronët nuk ishin të destinuar për territorin finlandez. Sipas tyre, devijimi i mjetit ajror ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve elektronike nga Rusia.
Ngjarja vjen në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj objekteve energjetike dhe rrugëve të eksportit në territorin rus, në përpjekje për të dobësuar kapacitetet ekonomike të Moskës.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kanë zhvilluar një bisedë telefonike lidhur me incidentin, duke theksuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve.
Autoritetet finlandeze vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes./mxh
