Last Updated on 31/03/2026 by Anisa
Në fjalën e tij pas betimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka përcaktuar prioritetet kryesore të mandatit të tij të ri, duke vënë theksin te forcimi i rendit, rritja e besimit të qytetarëve dhe goditja e korrupsionit brenda radhëve të policisë.
Gjatë komunikimit të parë publik si kryepolic i vendit, Hita theksoi se një nga sfidat më të rëndësishme mbetet “pastrimi” i strukturave policore nga punonjës që shkelin ligjin, duke paralajmëruar një qasje të fortë dhe pa kompromis ndaj çdo abuzimi me detyrën.
“Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem! Sot është një ditë e rëndësishme në karrierën time në Policinë e Shtetit. Kam nderin të marr detyrën më të lartë në organizatën tonë. Gjej rastin të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë. I jam mirënjohës çdo efektivi që shërben në krye të detyrës. Mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe forcimi i besimit të qytetarëve ndaj policisë. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga radhët tona, si dhe forcimi i rendit dhe sigurisë në gjithë territorin, janë misioni im”, u shpreh ai.
Në ceremoninë ku ai mori detyrën, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore, mes tyre ministrja e Brendshme Albana Koçiu, zyrtarë të tjerë të qeverisë si Besfort Lamallari dhe ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, si dhe oficerë ndërlidhës të vendeve partnere.
Hita e vendosi theksin te nevoja për një polici më profesionale, më të besueshme dhe më të afërt me qytetarët, duke e konsideruar luftën ndaj korrupsionit të brendshëm si një nga prioritetet kyçe të mandatit të tij.
