BBC ka shkarkuar prezantuesin e radios, Scott Mills, pas akuzave mbi sjelljen e tij personale, raportuan mediat britanike të martën (31 mars). Ai ishte pyetur nga policia para një dekade mbi akuza historike për shfrytëzim seksual ndaj një adoleshenti.
Policia Metropolitane e Britanisë tha se djali në qendër të hetimeve ishte nën 16 vjeç. Hetimi filloi në vitin 2016 pas një referimi nga një tjetër forcë policore dhe shqyrtoi ngjarje të pretenduara që kishin ndodhur midis viteve 1997 dhe 2000.
“Hetimi lidhej me akuza për veprime serioze seksuale ndaj një djali adoleshent.”
Një burrë në të 40-at e tij u pyet nën kujdes ligjor në korrik 2018, dhe një dosje e plotë iu dorëzua Shërbimit Prokurorial. Prokurorët vendosën se nuk kishte prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave, dhe hetimi u mbyll në maj 2019.
BBC konfirmoi se Mills nuk është më i kontraktuar me korporatën, por nuk dha detaje nëse hetimi policor ndikoi në vendimin për largimin e tij. Mills, 53 vjeç, kishte marrë drejtimin e emisionit kryesor të mëngjesit në Radio 2 në janar 2025, duke zëvendësuar Zoe Ball, një nga prezantueset më të paguara të BBC-së në atë kohë.
Ky largim është një tjetër goditje për BBC-në, e cila po përballet ende me pasojat e dënimit të ish-prezantuesit të lajmeve, Huw Edwards, për posedim të materialeve të pahijshme të fëmijëve në vitin 2024./mxh
