Virusët që infektojnë bakteret janë në gjendje të komunikojnë mes tyre përmes sinjaleve kimike, të cilat mund të përgjohet edhe nga viruse të specieve të tjera. Megjithatë, sipas një studimi të publikuar në Cell, përfitimet nga ky “përgjim” nuk janë në anën e virusëve që dëgjojnë, por shpesh në anën e atyre që dërgojnë sinjalin, i cili mund të përdoret për të manipuluar rivalët.
Studiues nga University of Exeter u përqendruan te bakteriofagët (ose fagët), virusë që infektojnë ekskluzivisht bakteret. Kur një bakteriofag hyn në një qelizë bakteriale, ai përballet me një dilemë: të qëndrojë në gjendje të fjetur, duke pritur kushte më të favorshme, apo të prodhojë grimca të reja virale dhe të shkatërrojë qelizën pritëse për t’u përhapur më tej, një proces i njohur si lizë. Zgjedhja varet nga mjedisi përreth: nëse shumë baktere janë shkatërruar dhe kanë mbetur pak për t’u infektuar, virusi ka më shumë gjasa të qëndrojë i fjetur; në të kundërt, nëse ka ende shumë baktere të disponueshme, ai zgjedh të përhapet.
Disa bakteriofagë përdorin një sistem komunikimi të bazuar në molekula të quajtura peptide, të cilat çlirohen gjatë infeksionit. Ky mekanizëm, i njohur si “arbitrium”, u lejon virusëve të së njëjtës specie të shkëmbejnë informacion mbi gjendjen e mjedisit dhe të koordinojnë sjelljen e tyre: një përqendrim i lartë i këtyre sinjaleve tregon se ka pak baktere të mbetura për t’u infektuar, ndërsa një përqendrim i ulët sinjalizon bollëk pritësish.
Studiuesit zbuluan se edhe virusë të specieve të tjera mund t’i përgjojnë këto sinjale, por kjo nuk u sjell gjithmonë përfitim. Kur një virus interpreton sinjale që nuk janë të destinuara për të dhe që nuk pasqyrojnë situatën e tij reale, ai mund të marrë vendime të gabuara, si të qëndrojë i fjetur edhe kur kushtet janë të favorshme për përhapje. Në këtë mënyrë, virusi që ka dërguar sinjalin përfiton, pasi mund të kufizojë përhapjen e rivalëve dhe të ndikojë në sjelljen e tyre.
Edhe pse studimi është përqendruar te bakteriofagët që gjenden në tokë, shkencëtarët sugjerojnë se mekanizma të ngjashëm mund të ekzistojnë edhe te viruse të tjera, përfshirë ato që ndikojnë në shëndetin e njeriut.
